Për të pestin vit radhazi u zhvillua sot në Parkun e Liqenit të Farkës trigarëshi në not, vrap dhe çiklizëm me pjesëmarrës jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga shumë vende të tjera.

 

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i cili mori pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimeve të fituesve të të 3 disiplinave vlerësoi se këto gara po kthehen në një traditë të përvitshme falë investimeve.

 

ERION VELIAJ

 

KRYETAR I BASHKISE TIRANE

 

“Farka sot është kthyer në një destinacion të jashtëzakonshëm. E filluam këtu me Kostas Bakoyannis, kryetarin e Bashkisë së Athinës kur hapëm Parkun Heleen. Ftesa për të gjithë prindërit është, regjistrojini fëmijët në sport! Më shumë sesa trajnojmë muskujt, ne duam të trajnojmë mendjen tonë, shpirtin tonë me kulturën sportive edhe me lojën në skuadër.”

 

Veliaj lajmëroi se kryeqyteti do të jetë e mbushur me aktivitete sportive këtë vit, duke shtuar se përgatitjet për Maratonën e Tiranës që do të mbahet në tetor, do të nisin shumë shpejt.

 

ERION VELIAJ

 

KRYETAR I BASHKISE TIRANE

 

“Do kemi disa surpriza këtë vit. Sapo të mbarojmë këtu, do të fillojmë përgatitjen për Maratonën e Tiranës në tetor. Kështu që do të shihemi të gjithë në aktivitete të tjera, sepse duam shumë që ky vit që Tirana është Qyteti Europian i Sportit ne të dallohemi posaçërisht për kulturën sportive dhe të dalim nga ky vit i sportit, jo vetëm me këto aktivitete kartolina, kujtime dhe medalje e çmime, po të dalim si një qytet që merret me sport, dimë të lozin në skuadër, të humbasim me modesti, por edhe të fitojmë gjithashtu me modesti dhe me këmbë në tokë. Kjo është Tirana jonë, qyteti ynë fitues.”

 

Për kryebashkiakun, sporti është diplomacia më e mirë për të ruajtur fqinjësinë e mirë dhe për të lënë mënjanë debatet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re