Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Gjergj Sauli është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 83-vjeçare. Lajmi është bërë me dije në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.

Suli ka qenë anëtar i kësaj gjykate në vitet 2001-2008, ndërsa ka mbajtur postin e kryetarit në periudhën 2004-2007. Në njoftim thuhet se me ndarjen nga jeta të Saulit, drejtësia ka humbur një nga personalitetet më të shquara.

“Është ndarë nga jeta sot në moshën 83 vjeçare juristi i shquar, ish-Kryetar dhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese, z. Gjergji Sauli. Gjergji Sauli lindi më 27 dhjetor të vitit 1938 në Korçë, Shqipëri. U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1960. Në vitin 1985 ka mbrojtur titullin “Kandidat i shkencave juridike” dhe në vitin 1994 ka marrë titullin “Doktor i Shkencave Juridike”.

Është dekoruar me “Urdhërin e Punës të Klasit të Parë” dhe me medaljen e artë “Për Merita të Veçanta Civile”. Gjatë karrierës së tij profesionale z. Gjergji Sauli ka shërbyer si gjyqtar, avokat, si lektor në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe në Shkollën e Magjistraturës.

Në vitet 2001 – 2008 z. Gjergji Sauli ka ushtruar funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe në periudhën 2004 – 2007 ka ushtruar detyrën e Kryetarit të kësaj gjykate, detyra të cilat ai i ka kryer me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë.
 
Me ndarjen nga jeta të z. Gjergji Sauli drejtësia shqiptare humbi një nga personalitetet e saj më të shquara. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e njeriut të dashur”, thuhet në njoftim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re