Ish-presidenti Bujar Nishani ka ndërruar jetë. Pak ditë më parë ai u nis drejt Gjermanisë për t’u kuruar nga një sëmundje e mushkërive, të cilën ia përkeqësoi infektimi me Covid.

Euronews Albania raporton se Nishani fillimisht mori ndihmën mjekësore në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, u dërgua në Gjermani.

Bujar Nishani ishte 58 vjeç dhe ushtroi detyrën e Presidentit të Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri në 24 korrik të vitit 2017.

Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Para zgjedhjes së tij si president, Nishani mbajti një sërë postesh qeveritare dhe diplomatike. Ai ishte Ministër i Drejtësisë nga viti 2009 deri në vitin 2011 dhe Ministër i Punëve të Brendshme nga viti 2011 deri në vitin 2012.

Ai la pas gruan, zonjën Odeta Nishani dhe dy fëmijët, Ersi dhe Fiona.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re