Arti shqiptar është tronditur ditën e sotme nga lajmi i hidhur ndarjes nga jeta të këngëtarit të muzikës popullore dibrane, Sherif Dervishi.

Sherif Dervishi ishte një këngëtar dhe muzika ku identifikohet më shumë është ajo popullore rapsodike, popullore e Shqiperisë së veriut dhe popullore folklorike. Më datë 29 Janar 2014, Sherif Dervishi publikoi videoklipin “300 Djem 300 Duvakë”.

Më datë 24 Shtator 2016, Musa Dauti & Sherif Dervishi publikojnë videoklipin “T’falet Kombi Ty Mirdite”. Lajmi për ndarjen nga jeta të Dervishit është bërë publik nga ish-deputetja Dhurata Çupi.

 

Ja postimi i Çupit:

Sherif Dervishi ka prekur zemrat e mijera Dibraneve dhe me gjerè. Artisti i shkelqyer ka humbur jeten sot. Vetem disa dite me pare ne nji ceremoni Dibrane mjaftoi nji kenge e tij dhe salla te brohoriste e gjitha. Shume i respektuar nga qytetaret Dibrane. Paste dheun e lehte kengetari i dashur per te gjithe.

Sherif Dervishi, tre netë më parë këndoi për herë të fundit në Pallatin e Kulturës Burrel, në Festivalin e Këngës Epiko Lirike. Ai dhe kolegët e tij të Grupit Folklorik Kamëz kënduan “300 duvakët e Lurës” dhe “Unë këngëtarë dhe ti këngëtare”.

Dje pasdite 58 vjeçari u shtrua me urgjencë në spitalet e kryeqytetit pasi u godit nga një hemoragji cerebrale, ndërkohë sot ndërroi jetë i rrethuar nga të afërmit, miqtë dhe kolegët e shumtë që ai kishte.

 

Kush ishte Sherif Dervishi ?

Ka lindur më 1961, në Lugjej të Dardhës te Dibres, në një familje me tradita patriotike dhe persekutuar politikisht nga regjimi komunist. Për herë të parë në skenë është ngjitur në vitin 1975, kur ishte nxënës në Zall-Dardhë. Me grupin artistik të Zall-Dardhës është aktivizuar në vitin 1978, kohë kur ka kënduar këngën “Shqipëri, kala vigane”.

Nga viti 1982 deri në vitin 1988 punoi si punëtor në Minierën e Bakrit në Mirditë, ku u aktivizua me grupet artistike të rrethit të Mirditës. Më pas ka qenë solist profesionist pranë Shtëpisë së Kulturës “Haki Stërnmilli” të Peshkopisë, i Qendrës Kulturore Peshkopi dhe kohët e fundit i Qendrës Kulturore të Kamzës.

Me shumë vështirësi u lejua të merrte pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, ku këndoi aq bukur këngën “Ç’po i folka burri burrit”. Ka qenë pjesëmarrës edhe në Festivalin e Beratit të vitit 1993, ku konkurroi me një këngë kurbeti dhe një këngë patriotike të titulluar “Prej Dibre deri në Tiranë”.

Nga viti 1996 deri më 1999 ishte solist i Estradës Profesioniste të Peshkopisë.
Ka marrë pjesë në Takimin Folklorik të Danubit në qytetin Giugiu, ku edhe mori çmim të dytë, si interpretues dhe si solist. Po kështu ka konkuruar edhe në qytetin Van të Turqisë me grupin “Dibra” dhe në festivalet “Sharri këndon”.

Është fitues i çmimit si interpretuesi me i mire ne Festivalin Folklorik te Gjirokastrës ne vitin 2009. Ka bërë edhe turne private në Maqedoni. Kohët e fundit ka përfunduar kasetën private të titulluar “Mall prej nanës, mall prej motrës” me produksion të “Tetofoni-disk” Tetovë, 1996. Kënga e tij e shtruar, tingëlluese, burrërore dhe elegante ka pushtuar zemrat e mijëra artdashësve.

 

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re