Nga Isuf Kalo/

Buli, kolegu im, miku im i shtrenjtë përse ike? Përse? Ike së pari nga Shqipëria, kalove përtej oqeanin deri larg në Amerike. Dhe sikur kjo nuk të mjaftoi, ike edhe nga jeta. U ndave përgjithmonë me ne.

Përse ike nga ne Buli? Përse? Ne të donim shumë. Të çmonim shumë. Dhe ti na doje po aq. Ti i doje si askush tjetër njerëzit, Beratin, qytetin tënd, i doje të sëmurët dhe veçanërisht nevojtarët. Na doje ne shokëve dhe miqve të tu. Kaluam çaste, vite të gëzuara edhe të hidhura bashkë. Përse ike dhe u largove? Nuk e dije se sa të shumtë janë ata që kanë nevojë, se sa të shumtë janë ata që ti u duheshe këtu? Sepse ishe i rrallë. Jo vetëm si njeri zemërbardhë, por edhe si mjek. Ishe specialist i zoti, shumë i talentuar, i pasionuar e i papërtuar. I thjeshtë i pa pispillosur. Pa mburrje pa grada e tituj, por me zemër aq të madhe me mikpritje gatishmëri dhe bujari të tillë, që vështirë se haset tek tjetër njeri apo mjek se sa tek ty.

Gjithçka që ishte jotja ishte pa ngurrim edhe e të tjerëve, shokëve e nevojtarëve. Ti i ndaje me ta, kurse hallet dhe problemet e tyre i ndjeje njësoj të dhimbshme si të ishin të tuat. Ishe pasuri, “valutë shpirtërore“. Ti Buli e filloje bisedën me “ne” jo me “unë”. Një shoku yt student ishte pa xhaketë, ti hiqje tënden nga supet dhe i thoje: “na vishe, merre”. Nuk kishte një tjetër të hante drekë ne mensë, ti u thoje: “na merre timen, se unë rregullohem”. Nuk kishte një i tretë para të mjaftueshme të shkonte me autobus tek prindërit larg, ti fusje dorën në xhep dhe të gjithë sa ishin aty i thoshe; “merri, kaq kam.” Kur ai mirënjohës të premtonte se do t’i kthente, ti qeshje, si askush që nuk qesh dot me atë çiltërsi; “Mos u bëj budalla”. Ti e di që ne ishim të rinj, të varfër atëherë, aq sa edhe ti vet ishe. Por si pasuri ti e kishe jo atë në xhep e kuleta, por në shpirt si fisnikëri. Nuk ishte filantropi ajo e jotja siç predikohet në librat e shenjtë. Ishte miqësi e dashuri e pastër spontane me ngrohtësi zemre njerëzore. Tek ty ishte instiktive, e fiksuar dhe e trashëguar në gene.

Pse ike Buli jonë? Pse ike? I kishim të rrallë këtu njerëzit, madje edhe mjekët me zemër të bardhë dhe pozitivitetin si tëndin. Me ikjen tënde mbetëm edhe më të varfër në mirësi, në vlera njerëzore dhe qytetari.

Përse ike Buli? O Zot, përse ike? Amerika është e madhe e fuqishme. Ajo do bënte edhe pa ty. Ti atë e kishe prej kohe brenda në zemër e në mendje, që në fakultet kur studionim për mjekësi. Përse duhet të shkoje aq larg? Ti kishe mësuar dhe lexoje artikuj dhe libra në gjuhën angleze, kur ne dinim vetëm rusisht. Ti fishkëlleje meloditë e Elvis Preslit dhe të Frenk Sinatrës, kurse ne ato të festivaleve të këngës sonë. Përse ike Buli? Nuk të tingëlloi fjala Ik, si frikë dhe si thikë? Ti ishe specialist, i pasionuari Otorinolaringologjisë. Ishe i vetmi në Berat. I kudo kërkuar dhe vlerësuar. Në spital janë ende laringoskiopi, spatualbistiria dhe llampa që vije në kokë. Janë me qindra të sëmurë që të presin, dhe akoma më të shumtë, ata që ti i mjekove me dashuri, që i shërove me sukses, të cilët ndjejnë mall dhe adhurim për ty. Sepse asnjërin prej tyre nuk e diferencove nga origjina,nga mosha apo pozita. Asnjërit prej atyre nevojtarëve nuk ia u pe me lakmi e babëzi duart…Të prisnin kolegët, të habitur me dinamizmin dhe gjallërinë që të shpërthente nga çdo qelizë dhe me kuriozitet fëminor si një Tom Sojer i ri, i cili ishte kërkim të mistereve të së resë, të së panjohurës dhe metodave mjekuese bashkëkohore.

Profesor Besim Zyma, babai i Otorinolaringologjisë tonë i mahnitur merrte rrugën posaçërisht deri në Berat për të operuar së bashku me ty. Vetëm me ty, nxënësi më i preferuar i tij. Të dy së bashku si sfidant të palodhur, ju tentuat të sillnit në Shqipëri Otorinolaringologjinë moderne madje dhe futuriste.

Buli, të lutem përse ike? Përse le pas aq ëndrra, aq sfida, aq mrekullira që bënin duart e tua? Në Amerikë nuk pate cilin të ndihmoje, as cilin të ftoje, as cilin të doje ashtu siç i doje ti shokët miqtë, pacientët madje dhe njerëz të panjohur. Në tokën e largët e në klimën e ftohtë, bujaria në dejet e tua ngriu. Nuk e dije që largimi është vrastar, si thikë që cepon nga të dy anët ,dhe që distanca e tkurr miqesinë, dashurinë madje dhe fisnikërinë? Ndarja me ne, me miqtë, me pacientët me Beratin, me Shqipërinë të ngriu edhe trupin, muskujt , mimikën dhe hapat .Kjo ishte çudia më e pabesueshme që mund t’i ndodhte Bulit tonë. Buli i ngurosur, i ngrirë! Mjekët aty e quajtën sëmundje dhe kujtuan se gjetën një diagnoz. Si mund ta kuptonin ata që gjithçka ishte nga malli, distanca dhe nga nostalgjia e pashuar?

Buli, përse ike? Përse? Nuk na le mundësi të të luteshim, të përgjëroheshim të bindnim që të ktheheshe. Sepse jo vetëm të duam, por edhe na duhesh. Më shumë se kurrë, kemi sot nevojë për njerëz dhe mjek si ty. Na duhet mirësia, çiltërsia, ndershmëria, zotësia, pasioni dhe shembulli yt për punën dhe profesionin, të cilat edhe para ikjes tënde patën firasur e qenë rralluar. Na duhesh edhe që t’ju thoshe me gojën tënde kolegëve tanë të rinj të mos ikin. T’ju a shpjegoje se pse nuk duhet të ikin. Ikjet na varfërojnë më tej në vlera etike mendore, shpirtërore. Vërtetë kujtove ti se mund të gjendej lehtë, apo do të lind patjetër një i ngjashëm që të të zëvendësoj? Prandaj Buli, nuk duhet të ikje. Nuk duhet të të linim as ne që të ikje. As në emigracion, dhe kurrsesi jo atje ku shkove përgjithmonë.

Ti nuk e di Buli se sot Beratasve, kur dëgjuan mënxyrën, u ngriu kafshata e bukës në dorë. Në spitalin ku punove dhe ku babi yt Dr. Lluka pat qenë fillimisht drejtor, e pastaj baba i të gjithë personelit, ra zia.

Osumi erdhi me vrull i turbullt, i fryrë nga hidhërimi me valët e hutuara që përplaseshin nga njëra anë tek tjetra. Në Ikonastasin brenda kalasë, e kuqja e Onufrit u gdhi sot më e zbehtë. Dhe dritaret një mbi një të shtëpive u gdhin me sytë enjtur dhe me qepallat e ulura.

Vargu i pacientëve dhe qytetarëve beratas që do të përcillte sot, po të ishe këtu, do të fillonte qetë. I hidhërove shumë Buli. Të gjithë ata që të duan druajnë se nuk do të kenë dot përsëri një mjek qytetar dhe njeri të devotshëm dhe të pastër në shpirt si ty.

Na pikëllove Buli. Na hidhërove shumë. Edhe ne miqve të tu. Dje ishte ekuinoksi i pranverës. Dita dhe nata u bën një çast të barabarta, por pastaj papritur, nata mori përsëri diçka nga dita.

Lamtumirë, miku i mirë. Je njeriu më i mirë që kam njohur në jetë. Le të prehet trupi yt në tokën e Amerikës që ti e deshe dhe e ëndërrove aq shumë. Le të mbijnë lule mbi të, por shpirtin na e nis tek ne. Ai e ka vendin këtu. Na duhet si etalon për mjekët tanë të rinj. Përse ike o Buli, o Zot! Përse ike? Nuk duhet të ikje Buli ynë. Nuk duhet të ikje…

P.S: Mjeku Lefter Muço që të gjithë e thërrisnin Buli ndërroi jetë para pak ditësh në SHBA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re