Arti shqiptar dhe ai matjan humbën ditën e sotme “Mjeshtrin e Madh”, Ymer Neli, i cili për 64-vite magjepsi skenat shqiptare me instrumentat e tij të muzikës popullore.

 

Ymer Neli u dekorua me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, disa vite më parë.

 

Instrumentisti Ymer Neli i cili ishte dhe “Qytetar Nderi” i Matit, për 64 vite lartësoi orkestrën matjane, e cila ka fituar disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Emri i Ymer Nelit si një instrumentist i talentuar do të lakohej që në fillimet e tij të ngjitjes në skenë në vitin 1959.

 

Ai do të magjepste publikun e Elbasanit në vitin 1966-të me një valle vajzash nga Macukulli. Gjithashtu instrumentisti i madh matjan, Ymer Neli, është vlerësuar me dhjetëra çmime për “magjinë” e tij në koncerte e festival si në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve shqiptarë.

 

Në vitin 1968 festivalet kombëtare zbritën në Gjirokastër. Përgatitjet e Ansamblit “Mati” ishin të gjithanshme. Në festivalin e radhës, në vitin 1983, rapsodia matjane zë vendin e parë.

 

Në dekadat e tij si instruktor pranë Qendrës Kulturore Mat dhe Qendrës Kulturore për Fëmijë, Ymer Neli i la Matit dhe Shqipërisë një pasuri të madhe me instrumentist të përgatitur nga vetë ai, një prej të cilëve edhe djali i tij Behar Neli, muzkinat e instrumentist tashmë i njohur kombëtarisht.

 

Ymer Neli, emrin e të cilit mban sot Qendra Kulturore e Fëmijëve Mat, ja kushtoi jetën muzikës e përgatitjes së brezave të rinj deri pak javë më parë.

 

Ai do të jetë simbol i Ansamblit Mati, me të cilin punoi për dekada me radhë.

/Vizionplus.tv/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re