Moikom Zeqo, shkrimtar, studiues, ish-deputet në Parlamentin shqiptar në vitet ’90, autor i skenarëve për filma me karakter arkeologjik dhe kulturor, i studimeve arkeologjike dhe të historisë së artit, është ndarë sot nga jeta.

Zeqo është shuar në moshën 71-vjeçare, në banesën e tij në kryeqytet.

Studiuesi i njohur vuante prej shumë vitesh nga leuçemia akute, të cilës nuk i bëri dot ballë.

Por, kush ishte Moikom Zeqo?

Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Familja e tij është me origjinë nga Libohova, ku ai mbaroi edhe arsimin fillor. Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori Filologji, dhe u diplomua në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi.

Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Më 1974-76 punoi si mësues në Rrogozhinë.

Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit.

Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë.

Në qershor të 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës.

Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së.

Më 1997-2005, Moikom Zeqo ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.

Zeqo autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të një numri skenarësh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij.

Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht,  gjermanisht.

Ai ishte autor i tre ekspozitave vetiake me piktura. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetëra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.

Moikom Zeqo ishte një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe.

Ai mban Urdhërin “Mjeshtër i Madh” dhe “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Moikom Zeqo ishte edhe Doktor i Shkencave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re