Ndahet nga jeta shkrimtari shkodran, Isa Alibali, i cili ka drejtuar për më shumë se 13 vite Teatrin “Migjeni”.
 
Shkrimtari Alibali është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare, ndërkohë bëhet me dije se homazhet në nder të tij do të zhvillohen në hollin e këtij teatri në datë 20 shtator 2018, nga ora 10:00 deri në orën 13:00.
 
I diplomuar në degën Gjuhë-Letërsi, në vitin 1960, ka punuar 3 vjet në Mirditë dhe ka qenë drejtori i parë i Gjimnazit të Rrëshenit, pastaj, ka qenë inspektor në seksionin e arsimit e të kulturës në Shkodër dhe në vitin 1965 kryeinspektor i kulturës në atë seksion.
 
Ndërsa nga mesi i vitit 1967 e deri në fund të vitit 1982, ishte drejtor i Teatrit “Migjeni”, me një ndërprerje trevjeçare, si drejtor i Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore (1969-72). Pastaj ka qenë drejtor i Shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” dhe tre vitet e fundit, deri në daljen në pension më 1991, ka punuar si mësues letërsie në shkollën e mesme të përgjithshme “Jordan Misja”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re