Kishin dalë për të blerë karburant për makinën, kur rrugës shohin një banesë dy katëshe që kishte marrë flakë lart, në pjesën e çatisë.

“Ndaloje makinën. Merr në telefon zjarrfikësit dhe tregoji për zjarrin. Unë po futem brenda”-i tha David Doti mikut të tij Gary Kraus.

Pas telefonatës, të dy miqtë, punojës të parkut në Providence (SHBA) shkuan me vrap drejt banesës dhe menduan të hedhin derën me forcë për të shpëtuar njerëzit brenda.

“Isha gati ta hidhja derën në tokë, por një grua na e hapi portën. Kishte në krah një fëmijë fare të vogël, i cili kur na pa nisi të qante. Ajo nuk dinte mirë anglisht dhe as që ja kishte idenë se në çati kishte rënë zjarri. Filluam t’i flasim me shenja dhe duke i thënë zjarr, zjarr, zjarr”-tha Geri Kraus për median vendase.

E teksa ky i fundit nxorri nga shtëpia gruan me fëmijën si dhe një tjetër familjar, Dejvid nisi të kontrollojë në shtëpi për të tjerë.

“Kam dhe unë fëmijë të vegjël dhe gjëja e parë që më shkoi ndërmend kur pashë atë fëmijë, ishin pikërisht të vegjlit e mi. Ndaj hyra në banesë dhe kontrollova çdo dhomë e cep të saj për të parë nëse kishte mbetur dikush aty”-tha Dejvid Doti.

Zjarrfikësit erdhën brenda disa minutave, teksa zjarri tashmë ishte shtuar dhe shtëpia ishte mbuluar nga tymi. Të dy burrat që ndihmuan gruan me fëmijën u shtruan për disa orë në spital për shkak pikërisht të tymit. Falë ndërhyrjes së tyre, askush nuk u lëndua.

Komuniteti atje e vlerësoi veprimin e tyre kurajoz dhe humanitar.

“Nuk bëmë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Bëmë atë që duhj të bëhej. Donim të shpëtonim njerëz dhe të them të drejtën, nuk e menduam dy herë”-tha Doti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re