Ministrave do t’u ndalohet me ligj takimi me biznesmenë. Ata s’mund të pranojnë bileta të paguara nga persona dhe kompani private apo të frekuentojnë bare e restorante gjatë ditëve të punës.

Në mënyrë specifike ministrave iu ndalohet bixhozi: Ata nuk duhet të hyjnë në asnjë ambient lojërash fati.

Po ashtu ata duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Nëse anëtari i kabinetit do të bëjë një nga këto shkelje, ose duhet të kërkojë ndjesë publike ose do shkarkohet menjëherë nga detyra.

Rregullat e paralajmëruara nga Kryeministri Edi Rama në nisje të mandatit të tretë të qeverisjes, dhe të miratuara në shtator të vitit të shkuar nga Këshilli i Ministrave kanë hyrë në fuqi të premten e 29 prillit.

“Kodi i Ri Etik” lejon takimin me grupe biznesi vetëm në prani të 2 nëpunësve publikë të cilët mbajë minutat e takimeve, identitetin e personave dhe shënojnë në një regjistër të posaçëm çështjet e diskutuara.

Ministrat do të ndalohen tashmë ligjërisht të udhëtojnë me “Bussines Class” brenda Europës, të përdorin sallën VIP të aeroportit apo makinën e punës për familjarët në momentin që nuk janë vetë të pranishëm.

Kryeministri ka ndaluar dhe organizimin e festave për personelin me fondet e buxhetit apo pushimet jashtë vendit. Frekuentimi i bareve dhe restoranteve do të lejohet gjatë pushimeve zyrtare vetëm në rast të eventeve familjare dhe shoqërore, apo aktivitete që lidhen me punën dhe që është marrë leje.

Të gjitha dhuratat që marrin ministrat do të përdoren si dekor për zyrën ose të dorëzohen në kryeministri.

Edhe punonjësit e administratës ndalohen që të bëjnë veprime jo etike dhe të ekzagjeruar në bare e restorante, të frekuentojë ambiente të padenja, të takohen me grupe interesi, apo të publikojë në rrjete sociale video dhe foto të papërshtatshme të ambientit të punës./euronews.al

/faxweb