Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me katër vjet e tetë muaj burg ish-shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi, për deportimin e paligjshëm të gjashtë shtetasve turq që kishin leje qëndrimi dhe pune në Kosovë.

Sipas aktakuzës, të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Gashi ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke rekomanduar heqjen e lejes së qëndrimit dhe mosdhënien e lejes për një shtetas turk sepse “paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.”

Valon Ramadani, ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Rahman Sulejmani, ish-drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Policinë Kufitare, janë liruar nga akuzat.

Në shkurt të vitit 2021, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër këtyre tre ish-zyrtarëve pasi gjashtë shtetas turq u arrestuan në një operacion të madh nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch ka kritikuar autoritetet e Kosovës lidhur me këto arrestime.

Fjala është për gjashtë eksponentë të FETO-s, organizatës të cilën Ankaraja e akuzon për grushtin e shtetit në korrikut 2016.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re