Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re





Ryshfeti i dhënë një punonjëseje të Ministrisë së Shëndetësisë për sekretaren e këtij dikasteri, e ka çuar në katër numrin e personave të arrestuar.

Përveç dy grave-zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, SPAK njoftoi se ka arrestuar edhe dy personat që i kanë korruptuar dy zyrtaret, ndonëse duke iu referuar të dhënave të kompanisë-biznes që ka qenë nën verifikim, nuk është hera e parë që kjo ministri i jep tendera kësaj kompanie. Madje, shifrat për 4 vitet e fundit janë marramendëse, kur bëhet fjalë që paratë kanë dalë nga buxheti i shtetit.

Arrestimi i Joana Duros dhe i Loreta Shetës, u pasua nga prangosja e administratorit 75-vjeçar nga Lushnja, si dhe një inxhinieri të punësuar në këtë kompani. Në fakt, ajo që ishte edhe e befasishme në këtë operacion të Prokurorisë së Posaçme që nisi mesditën e së premtes dhe zgjati tri ditë, është reagimi i menjëhershëm i Kryeministrit të vendit, i cili e përshëndeti arrestimin e dy zyrtareve të dikasterit të Shëndetësisë, edhe pse sekretarja Duro u gjobit për shkak të pjesëmarrjes në fushatë nga ana e KQZ-së, fushatë që ajo e kishte në ndihmë të kandidatit të majtë.

HETIMET

Pas arrestimit të sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, dhe nëpunëses Laureta Sheto, SPAK arrestoi administratorin dhe inxhinierin e firmës “Dricons”, të cilët kishin paguar 330 mijë lekë ryshfet me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1”, Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Sipas SPAK, janë grumbulluar prova që krijojnë inxhinier i firmës “Dricons sh.p.k”, Silvi Shehu pasi e ka marrë vlerën monetare prej 330. 000 lekë nga banesa administratorit Vladimir Topi, ia ka dërguar më pas punonjëses së Ministrisë së Shëndetësisë, Loreta Sheto, e cila ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, kjo e fundit u kap në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar nëpërmjet korrupsionit.

SPAK bën me dije se me metoda speciale hetime, të cilat përfshijnë edhe përgjimet e personave të dyshuar, u siguruan prova përmes të cilave evidentuan se një kompani do të jepte ryshfet 330 mijë lekë me qëllim që të ishte fituesja në procedurën e prokurimit të tenderit nga Ministria e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale në cilësinë e Autoritetit Kontraktor dhe titullar ishte Joana Duro.

Ofertat e tenderit, fondi limit i të cilit ishte 805 mijë lekë, dorëzoheshin deri në 22 maj. Sipas SPAK, ryshfeti i është dhënë Joana Duros nga Laura Shteto, specialiste e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara. “Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, u krijuan dyshime se shtetasja J. D., me detyrë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, ka marrë një përfitim të parregullt në shumën prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë, për të favorizuar një Operator Ekonomik.

Këto vlera monetare u dhanë nga shtetasja L. Sh., me detyrë Specialiste e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara”, shkruhet në njoftimin e SPAK të shpërndarë dje, një ditë pas arrestimit në flagrancë të dy zyrtareve. SPAK thotë se shuma 330 mijë lekë, që përbën përfitimin e parregullt nga Loreta Shteto është gjetur në zyrën e Sekretares së Përgjithshme. Gjithashtu, në zyrën e sekretares së Përgjithshme u bë e mundur edhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të shumës prej 330 000 lekëve (shumë e cila përbën përftimin e parregullt të dhënë nga shtetasja L. Sh.), vijon njoftimi i SPAK.

Dy zyrtaret e arrestuara më 2 qershor 2023 akuzohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 260 dhe 245 të Kodit Penal.

TENDERI ME 4 LOTE

Tenderi ka të bëjë me supervizimin për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore për vitin 2023 dhe 2024 me fond limit 4,115,854.86 (katër milion e njëqind e pesëmbëdhjetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e katër.86) Lekë pa TVSH e ndarë në 4 lote.

Kompania që ka dhënë ryshfetin synonte të fitonte lotin e parë të tenderit me fond limit 800 mijë lekë. Afati i fundit për paraqitjen e ofertave ishte 22 maj 2022 dhe punimet do të kryheshin brenda 172 ditë nga firmosja e kontratës. Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa QSH-ve në qarqet Tiranë dhe Durrës” me fond limit 805,872.23 (tetëqind e pesë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy.23) lekë pa TVSH; Lot.2 “Supervizim për rikonstruksionin e disa QSH- ve në qarqet Berat, Korçë dhe Elbasan” me fond limit 1,010,499.48 (një milion e dhjetë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e nëntë.48) lekë pa TVSH; Lot.3 “Supervizim për rikonstruksionin e disa QSH- ve në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Dibër” me fond limit 1,271,793.50 (një milion e dyqind e shtatëdhjetë e një mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tre.50) lekë pa TVSH; Lot.4 “Supervizim për rikonstruksionin e disa QSH- ve në qarqet Gjirokastër, Vlorë dhe Fier” me fond limit 1,027,689.65 (një milion e njëzet e shtatë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntë.65) lekë pa TVSH.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re