“Ndarja e Berishës me Bashën nuk më çudit shumë. Kam qenë shumë i befasuar nga një marrëdhënie aq e gjatë dhe aq okulte, nga një flirt politik 16-17-vjeçare. Njerëzit që nuk dinë të duhen, nuk dinë as të ndahen. Ka qenë një nga marrëdhëniet më hipokrite në politikën shqiptare”.

Kështu u shpreh në Dita Jonë Astrit Patozi, ish-koordinator i Bindjes Demokratike, teksa foli për problemet e PD. Ai theksoi se skenari më i mirë për PD është ndarja e menjëhershme.

“Kam përshtypjen që e kam thënë i pari këtë. Shpëtimi i vërtetë dhe mundësia e ringritjes së PD është ndarja e menjëhershme. PD është përballë një realiteti të pamohueshëm, ekzistencës së dy entiteteve politike. Sa më shpejt që ta pranojë këtë realitet, aq më të lehtë do ta ketë për ta kapërcyer.

PD po korr sot atë që ka mbjellë vetë, një kurs arkaik, kryesisht në 8 vitet e fundit të Bashës, por janë në paketë së bashku me Berishën”, tha Patozi.

Por kush mund të merrte fatet e PD? “Gjithkush mund ta bënte këtë, por alternativat që kanë dalë kanë qenë të papërfillshëm. Njerëzit që garojnë duhet të jenë faktor politik. Ne mund të mos e kemi fare ndërmend sot emrin, por ai del përmes një gare normale. Agonia e PD do të zgjasë, pasi “Foltorja” është e pangopur të mjaftohet me ndarjen, do ta pushtojë PD-në”, u shpreh Patozi.

Sa i përket rolit të presidentit Meta dhe deklaratat e tij ndaj Bashës, Patozi u shpreh se ai ka një rol figuranti në këtë betejë. “Meta ka një rol figurant në këtë betejë. Ndikimi i tij te demokratët është shumë i zbehtë. Ai është i prirur të anojë nga Foltorja për shkak edhe të probleme të përbashkëta që ata kanë. Megjithatë, nuk ka ndikim”, u shpreh Patozi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re