Astrit Patozi, ish-koordinator i Bindjes Demokratike, komentoi në “Debat” nga Alba Alishani situatën aktuale në Partinë Demokratike, duke u shprehur se “Partia Demokratike duhet patjetër që të pranojë realitetin dhe të ndahet në dy pjesë”.

“Mendoj se Partia Demokratike ka për të shpëtuar nga ndarja e saj dhe nuk duhet ta marrë si gjë dramatike këtë ndarje. Por, kam frikë se PD-ja do të refuzojë të ndahet dhe do të vazhdojë të zvarritet.

Gjysma e PD-së që do të mblidhet për të mbajtur Kuvendin nuk do të legjitimohet nga pjesa tjetër, nga ajo që ka “vulën”, nga partia zyrtare. Kjo zvarritje, sa më shumë të zgjasë, aq më keq do të jetë për PD-në. Kjo do të jetë në dëm të Foltores dhe do të përfitojnë në fund vulëmbajtësit e partisë”, tha Patozi.

“Partia Demokratike duhet patjetër që të pranojë realitetin dhe të ndahet në dy pjesë, që nuk bashkëjetojnë dot më. Ata që nuk do ta pranojnë këtë gjë, besoj se do të jenë njerëzit e Foltores, që nuk do ta pranojnë dot faktin se do të jenë në një sigël tjetër. Duhet ta pranojnë këtë sepse nuk është fundi i botës”, shtoi Patozi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re