Analisti Fatos Lubonja, është shprehur se Silvio Berlusconi përfaqësonte vlera anti-demokratike dhe ajo që ai përfaqësonte ishte kundër demokracisë.

Komentet Lubonja i bëri në emisionin “Open” në News24 ku komentoi figurën e Berlusconit, pas ndarjes së tij nga jeta gjatë ditës së sotme.

“Ka mbajtur disa pozicione që për mua dhe tani e pashë me simpati për qëndrimin për luftën në Ukrainë. Ka qenë më i moderuar. Ka pasur një lloj…disa thonë bujari me njerëzit. Kemi të bëjmë me një sistem ku ai shfaqi hapur atë që është pjesë e botës edhe perëndimore, ku një pakicë kontrollon financat, mediat dhe pushtetin politik. Berlusconi fliste aq shumë për liberalizmin, por ajo që përfaqësonte ishte kundër demokracisë. Gjithë problemi është trashëgimia që lë”, tha Lubonja.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, ka thënë se me vdekjen e Berlusconit, u shuajt figura e fundit e këtij modeli politikani në kontinent.

Ai e konsideroi Berlusconin si një lloj Trump-i të dytë dhe një politikan populist.

Berlusconi ishte gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe ngjarjeve. Çdo ngjyrë i rri Berlusconit. Është një lloj Trump-i evropian. Ishte populist i suksesshëm. Me ikjen e tij shuhet figura e fundit e këtij modeli politikani në kontinent. Nuk ka të ngjashëm në Evropë si ai. Brezi i politikanëve që e zëvendësuan kanë një tjetër natyrë. Nuk besoj se ka lënë ndonjë shkollë apo model politik që të ndiqet nga dikush në të ardhmen”, u shpreh Çollaku.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re