Kryeministri Edi Rama ka kryer homazhe për Dhimitër Anagnostin, regjisorin e shquar të kinematografisë shqiptare, që u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku bëhen dhe homazhet, Rama la edhe një mesazh në librin e kujtimeve.

Ndërkaq, Këshilli i Ministrave ka vendosur të shpallë 2 shtatorin ditë zie kombëtare në nderim të Dhimitër Anagnosti.
Regjisori la pas një trashëgimi të çmuar kulturore për brezat.
Në të gjithë vendin flamujt janë ulur në gjysmështizë, ndërsa institucionet shtetërore do të zhvillojnë homazhe për nder të figurës së tij. Homazhet nisën në orën 10:00 dhe do të vijojnë deri në orën 13:00. Më pas arkëmorti me trupin e të ndjerit do të përcillet për në banesën e fundit, në vendlindjen e tij në Vuno të Himarës.
Ndër filmat e tij më të njohur janë “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Gjoleka, djali i Abazit”, me të cilin u nderua me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
