Ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum, u nda sot nga jeta në moshën 81-vjeçare. Diplomati gjerman u gjet pa shenja jete në dhomën e hotelit në Kavajë ku ishte akomoduar dhe dyshohet se vdekja ishte për shkaqe natyrale
Lidhur me lajmin e hidhur ka reaguar në rrjetin e tij social në Facebook, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Përmes një shkrimi të gjatë Berisha flet me vlerësim të madh dhe lëvdata për ish-ambasadorin gjerman.
“Të dashur miq, ish-ambasadori i parë gjerman pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, një mik i madh i Shqipërisë dhe kombit shqiptar, Werner Daum, mbylli sytë përgjithmonë në atdheun e tij të dytë, në Shqipëri.
Ambasadori Werner Daum ishte një mik i shquar i ditëve më të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në vitet 1989–1990, pas rënies së Murit të Berlinit, Werner Daum, përfaqësues i kombit të madh gjerman, pasardhës i një familjeje antinaziste i mëkuar me pasionin për lirinë, bëri gjithçka dhe më shumë se kushdo tjetër që të inkurajonte shqiptarët të ngriheshin kundër regjimit komunist diktatorial dhe të ndiqnin rrugën e kombeve të tjera të shtypura ish-komuniste”, shkruan Berisha mes rreshtash.
Postimi i plotë
Dielli perëndoi për Werner Daum, Ambasadorin e Lirisë.
Të dashur miq, ish-ambasadori i parë gjerman pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, një mik i madh i Shqipërisë dhe kombit shqiptar, Werner Daum, mbylli sytë përgjithmonë në atdheun e tij të dytë, në Shqipëri.
Ambasadori Werner Daum ishte një mik i shquar i ditëve më të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në vitet 1989–1990, pas rënies së Murit të Berlinit, Werner Daum, përfaqësues i kombit të madh gjerman, pasardhës i një familjeje antinaziste i mëkuar me pasionin për lirinë, bëri gjithçka dhe më shumë se kushdo tjetër që të inkurajonte shqiptarët të ngriheshin kundër regjimit komunist diktatorial dhe të ndiqnin rrugën e kombeve të tjera të shtypura ish-komuniste. Me kontaktet dhe takimet e tij direkte me guximtarë të grupeve antikomuniste në Shkodër, Kavajë, Tiranë etj., ai dha ndihmesë tejet të çmuar në inkurajimin e protestave të para antikomuniste në Shkodër, Kavajë, Tiranë në muajt e parë të vitit 1990.
Por veprimtaria e tij për lirinë e shqiptarëve kulmoi si promotor kryesor i kryengritjes paqësore të Rinisë së Tiranës më 2 korrik 1990. Ambasada e vendit të tij, nën drejtimin e tij, u shndërrua në kështjellën e lirisë të 3800 të rinjve që shembën Murin e Berlinit në Tiranë dhe e mbushën atë me kryengritës në çdo skaj të saj. Qëllimi i tij ishte që kryengritja paqësore e 3800 të rinjve që mbushën ambasadën e RFGJ dhe qindra e qindra të rinjve të tjerë që hynë në ambasadat e tjera të mbështetej nga qytetarët e Tiranës dhe të përmbysej kështu edhe në Shqipëri regjimi komunist.
Pas këtij aksioni të jashtëzakonshëm, që u shndërrua në kryelajmin e mediave botërore, ai u transferua nga Shqipëria dhe, mjerisht, shoqëria shqiptare ato ditë historike nuk doli dot nga apatia. Por megjithëkëtë, kryengritja paqësore e 2 korrikut 1990, arkitekt kryesor i të cilës ishte ambasadori Werner Daum, do të ishte preludi i revolucionit demokratik të Dhjetorit 1990 që solli përmbysjen e diktaturës komuniste; ndaj dhe ai do të mbetet gjithmonë Ambasador i Lirisë për shqiptarët.
Pas largimit nga Shqipëria, mik i çmuar i shqiptarëve dhe në veçanti i kolosëve Ismail Kadare dhe Martin Camaj, studiues dhe intelektual klasi në elitën akademike gjermane por edhe franceze, Werner Daum do të ishte një avokat i Shqipërisë, shqiptarëve, kulturës së tyre. Ai i kushtoi kohë dhe energji të çmuar promovimit të tyre në Europë. Dashurinë dhe respektin e tij për Shqipërinë, shqiptarët, kulturën, identitetin, historinë e tyre, ai e paraqiti në një seri studimesh, referatesh, leksionesh dhe ekspozitash ndër më të arrirat kushtuar atyre.
Për të gjithë kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e ka nderuar këtë burrë të shquar të kombit gjerman me Urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë. Kurse kryetari i Bashkisë së Kavajës e shpalli më datën 10 korrik 2025 Qytetar Nderi të qytetit.
Unë pata fatin ta takoj përsëri atë më 10 korrik 2025 në Kavajë, në 35-vjetorin e rënies së heroit të parë të demokracisë së Shqipërisë, Josif Buda, në varrimin e të cilit ai kishte marrë pjesë dhe kujtimin e të cilit ai kishte ardhur ta nderonte. Dy ditë më parë pata me ambasadorin një bisedë të gjatë, që së bashku me kujtimin e veprës së tij të ndritur do ta mbaj mend përgjithmonë.
Werner Daum shërbeu si ambasador i Gjermanisë në Tiranë nga viti 1987 deri në 1990 dhe hapi dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët që kërkonin arratisjen nga regjimi komunist.
Ish-ambasadori Werner Daum mbërriti në Shqipëri pak ditë më parë për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së Josif Budos në Kavajë, ku ishte i pranishëm edhe Sali Berisha.
Werner Daum u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga kryebashkiaku Fisnik Qosja, për kontributin e tij në momentet historike të vitit 1990.
Diplomati kujtoi momentin kur hapi dyert për shqiptarër duke u shprehur se “ambasada gjermane u shemb fizikisht dhe simbolikisht”
“Ju kërkoj ndjesë që nuk flas më në gjuhën shqipe. Flisja shqip rrjedhshëm kur hapa ambasadën gjermane këtu në vitin 1987. Dhe gjuha juaj e bukur më ka shoqëruar gjatë gjithë kësaj kohe”, iu drejtua ai të pranishmëve.
“Unë isha këtu për tre vjet, që nga viti 1987, kur hapa ambasadën, deri në korrik të vitit 1990, kur ambasada ime u shemb në kuptimin fizik. Por jo vetëm ndërtesa e ambasadës shkoi drejt rrënimit, por edhe marrëdhënia që unë përpiqesha të ndërtoja me popullin shqiptar, me shoqërinë, me intelektualët, gjithçka dukej sikur ishte humbur”, tha ai gjatë vizitës në Kavajë më 10 Korrik.
Duke shtuar: “Ajo që ndodhi ishte lindja e diçkaje të re dhe të bukur. Ishte lindja e lirisë. Nuk do të thosha se ishte menjëherë demokracia në Shqipëri, por ishte padyshim lindja e lirisë. Unë pata një dorë të vogël në këtë, por nuk isha personi që solli ndryshimin. Ata që sollën ndryshimin ishin shqiptarët, populli shqiptar, dhe veçanërisht të rinjtë.”
