Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të poetit Lefter Çipa.

Kreu i Shtetit shkruan në rrjetet sociale se Çipa na ka lënë të gjithëve një trashëgimi të vyer artistike e kulturore.

Presidenti Meta mbyll mesazhin e tij ngushëllues duke thënë se Lefter Çipës i jeton poezia, i jeton kënga, i jeton shpirti kuqezi! I paharruar kujtimi i tij.

Mesazhi i Metës:

Dhembje e trishtim nga lajmi, që nuk do donim ta merrnin kurrë, legjenda e poezisë dhe e polifonisë shqiptare, Nderi i Kombit, Lefter Çipa, u nda sot prej nesh.

Krijuesi brilant i Bregut, me frymëzim thellësisht kombëtar, iku në përjetësi, për të na lënë të gjithëve një trashëgimi të vyer artistike e kulturore, ku spikatin perlat e polifonisë shqiptare të krijuara mjeshtërisht prej tij dhe që do këndohen në jetë të jetëve, sa të ketë shqiptarë.

Familjes Çipa, komunitetit të dashur të Pilurit kuqezi, gjithë poetëve dhe polifonëve, ju përcjell ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të pazëvendësueshme, që na lëndoi të gjithëve.

Lefter Çipës i jeton poezia, i jeton kënga, i jeton shpirti kuqezi! I paharruar kujtimi i tij!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re