Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të Profesorit të sportit, Vildan Tufit i cili u nda nga jeta ditën e sotme në moshën 74 vjeçare.

Meta shprehet se kjo është një humbje e pazëvendësueshme dhe e madhe për familjen e të ndjerit si dhe për komunitetin e atletëve shqiptarë.

Meta e ka shoqëruar postimin me foto nga momenti kur ka dekoruar Tufin me titullin ‘Mjeshtër i madh’.

Postimi i Ilir Metës:

Me shumë dhimbje mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të Mjeshtrit të Madh, Profesor Vildan Tufit, personalitetit të shquar dhe të padiskutueshëm të sportit shkodran dhe kombëtar.

Humbje shumë e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen e Tij dhe thellësisht pikëlluese për mbarë komunitetin e atletëve shqiptarë, që ndahen sot nga ky kolos i sportit shqiptar që la gjurmë të mëdha, si atlet rekordmen dhe trajner i kampionëve të mëdhenj, veçanërisht në garat e kërcimit së gjati, trehapësh, garat e shpejtësisë dhe 10-garësh.

Pasioni dhe profesionalizmi i tij do të mbeten një shembull i çmuar dhe frymëzues në përgatitjen dinjitoze të atletëve elitarë dhe kampionëve të ardhshëm të atletikës tonë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si Izmir Smajlaj, Vera Bregu e Admir Bregu.

Me mirënjohje e respekt do ta kujtojmë Profesor Tufin për punën e palodhur në edukimin e brezit të ri, me dashurinë për sportin, larg rreziqeve sociale dhe veseve.

Familjes Tufi, atletëve, bashkëpunëtorëve, miqve dhe mbarë komunitetit të dashur të Shkodrës ju shpreh ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje që na tronditi sot të gjithëve! I paharraruar kujtimi i Profesorit Vildan Tufi!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re