Efektivi Sokol Canameti 48-vjeç është arrestuar me vendim gjykate.

 

48-vjeçari rezultoi se kishte marrë një shumë lekësh për të lehtësuar pozitat e një qytetari që hetohet për drogë.

 

Në një njoftim për media bëhet me dije se AMP ka ekzekutuar këtë të dielë vendimin e GJKKO-së.

 

NJOFTIMI I PLOTË:

 

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ekzekutuar sot vendimin penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për punonjësin e policisë N/Komisar Sokol Cenameti, 48 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

 

Gjithashtu, është ekzekutuar vendimi penal për caktimin e masës së sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” edhe për shtetasit F.K., 51 vjeç dhe E.K., 22 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim,

 

Masat e sigurimit personal ndaj shtetasve të sipërcituar u ekzekutuan, pasi nga hetimet disa mujore të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e të dhënave të inteligjencës informative, u administruan prova dhe fakte se punonjësi i policisë S. C., me detyrë Specialist në Seksionin Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kundrejt përfitimit monetar të paligjshëm, ka premtuar lehtësimin e pozitave procedurale penale të një shtetasi, ndaj të cilit zhvillonte hetime për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”.

 

Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të kundraligjshme.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re