Miratimi i Marrëveshjes së Prespës nga Kuvendi i Greqisë, ka sjellë reagime të shumta nga ndërkombëtarët, të cilët kanë përgëzuar vendimin e parlamentit grek.

 

Ministri i punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se vendi e zgjidhi kontestin më të madh të jashtëm.

 

“E zgjidhëm problemin politik më të madh të jashtëm i cili na tërhiqte pas. I hapëm dyert drejt së ardhmes, e rrumbullakuam shtetësinë tonë, e mbrojtëm identitetin dhe siguruam ardhmëri për gjeneratat e ardhshme”.

 

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është një ndër personalitetet që ka breaguar menjëherë pas vendimit të parlamentit grek.

 

“Unë e mirëpres ratifikimin e sotëm në parlamentin grek të Marrëveshjes së Prespës, një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit. Pres me padurim që Republika e Maqedonisë së Veriut të bashkohet me NATO-n”.

 

Përmes një mesazhi të përbashkët krerët e Bashkimit Evropian, kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme Federika Mogerini dhe eurokomisari Joanes Han kanë përshëndetur hapin e ri për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës.

 

“Nga vetë fillimi BE fuqishëm e mbështeti marrëveshjen historike të nënshkruar nga kryeministrat Tsipras dhe Zaev nën kryesimin e KB-së. I nevojshëm ishte guximi politik, lidershipi dhe përgjegjësia e palëve që të tejkalohet njëri nga kontestet më të vështira në rajon. Të dy vendet e shfrytëzuan këtë mundësi unike e cila jepe shembull për pajtim në të gjithë Evropën dhe do të sjellë nxitje shtesë për perspektivë evropiane në rajon”.

 

Ndër të tjera në përshëndetjen e këtij vendimi Han, Mogerini dhe Junker theksuan se i presin të gjitha hapat e ardhshëm procedurale për zbatimin e Marrëveshjes. Ata nënvizojnë se tani me siguri mund të thuhet se Athina dhe Shkupi bashkë shkruan faqe të re në ardhmërinë e përbashkët të BE-së.

 

Ndërsa kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk, në reagimin e tij, ka shkruar se dy kryeministrat arritën misionin e pamundur.

 

“Ata kishin fantazi, ndërmorën rrezik, ishin të gatshëm t’i viktimizojnë interesat personale për ardhmëri më të madhe. Zoran, Aleksis – e bërë mirë! Misioni i pamundur është plotësuar”.

 

Miratimi i Marrëveshjes së Prespës në Kuvendin grek, është një vendim që pasoi atë që miratoi në fund të vitit të kaluar e Kuvendi i Maqedonisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re