Ndërmjetësi amerikan Amos Hochstein do të vizitojë Libanin javën e ardhshme për bisedime mbi mosmarrëveshjet kufitare detare me Izraelin, njoftoi sot kryetari i parlamentit libanez, Nabih Berri.

Berri në një seancë parlamentare tha se Hochstein do të mbërrijë në Bejrut të dielën ose të hënën.

Tensionet midis Libanit dhe Izraelit u rritën në fillim të kësaj jave pas hyrjes së një anijeje të quajtur “Energean Power” në një zonë detare të diskutueshme.

Të hënën, ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz tha se mosmarrëveshja me Libanin për gazin natyror do të zgjidhet brenda kornizës së negociatave indirekte nën ndërmjetësimin e SHBA-së.

Libani dhe Izraeli janë të përfshirë në një mosmarrëveshje për një zonë detare që është 860 kilometra katrorë (332 milje katrorë), sipas hartave të dërguara nga të dyja palët në OKB në vitin 2011.

Zona është e pasur me gaz natyror dhe naftë. Pesë seanca negociatash indirekte u mbajtën midis Libanit dhe Izraelit nën sponsorizimin e OKB-së dhe ndërmjetësimin e SHBA-së. Raundi i fundit i bisedimeve ishte në maj 2021, por ai ngeci për shkak të dallimeve të mëdha.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re