Pak ditë më parë ndërroi jetë ish-lojtari i të rinjve të Skënderbeut, Dorian Tahirllari. Prej më shumë se një viti, ai kishte zbuluar se vuante nga tumori malinj në stomak, shtyllën kurrizore dhe në veshka.

Ditën e sotme në “Shqipëria Live” ishte në një lidhje direkte babai i tij, Florent Tahirllari, i cili u shpreh se i biri nuk i kishte thënë asnjëherë se kishte frikë se do të vdiste.

“Nuk më tha asnjëherë babi më shpëto se kam frikë. Thoshte në çdo moment se ishte mirë. Ai bëri katër ndërhyrje e do bënte edhe një tjetër në palcën kurrizore, por sëmundja e mori”, tha ai.

Babai tregoi se si 18-vjeçari ishte munduar gjithmonë që të tregonte se ishte mire, vetëm që të mos shqetësonte familjarët.

“Ditën që mbylli sytë më tha jam mirë, jam gjallë. Porosiste edhe rroba, edhe atlete. Mesa duket i ka porositur vetëm për të mos na shqetësuar ne. Na jepte besim se do ja dilte, e mesa duket ai e dinte se nuk do e mposhte sëmundjen”, rrëfen mes lotësh babai.

“Ai humbi një ëndër, humbi jeten”, përfundon Florenti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re