Aktorja Roza Anagnosti ka rrëfyer miqësinë që kishte me regjizorin e ndjerë Muharrem Fejzon.

Ajo shprehet për ‘ News 24’ se ka një miqësi prej 50 vitesh me regjizorin i cili i dha dy role të rëndësishme me të cilat fitoi dhe çmime.

“E kam njohur Fejzon 50 vite më parë. Me pas punova në dy filma me të, me dhuroi dy role të mëdha. ‘Besa’ të ‘Fije që priten’ e ‘Dafina’ të ‘Mësonjëtorja’.

Me rolin e dytë fitova çmim dhe ishte kurora që ai më dha mua. Nuk e vlerësuan sa duhet por ai ishte i vetëdijshëm për atë që ishte.

Dhe ishte krenar. Ai nuk u mposht. Ishte e rëndë kur pasi mbaruam filmin ‘Fije që priten’ hoqën Bert Ndrenikën.

Aktor i mrekullueshëm. Rrezikova dhe unë për shkaqe biografie, por nëse do më hiqnin dhe mua filmi do humbte gjithë xhirimet, të tilla ishin kohët. Tematika ishte e përcaktuar e detyrueshme. Ne bënim ato që mundnim”, shprehet Roza Anagnosti.

Kineasti Muharrem Fejzo u nda nga jeta pak ditë më parë në moshën 87 vjeçare. Fejzo ishte i infektuar me COVID19 dhe komplikacionet me virusin i morën jetën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re