Koronavirusi i merr jetën një tjetër vajze të re në Shqipëri. Sipas “BalkanWeb”, ka ndërruar jetë sot te Spitali Infektiv një 33-vjeçare, e cila vuante dhe nga sindroma down.
Gjithashtu, gjatë paradites së sotme ka ndërruar jetë edhe një 60-vjeçar, i shtruar po në Infektiv. Ndërkohë, gazetari Skëndaj thekson se në orët e paradites së sotme kanë mbërritur te spitali Covid-1 11 urgjenca mjekësore, mes të cilëve ka edhe mosha të reja.
Burime për News24 e BalkanWeb pohojnë se që prej datës 15 gusht e deri në 15 shtator rastet me Covid-19 nga Tirana, Shkodra, Korça, Pogradeci, Elbasani, etj. do të referohen vetëm në spitalin Covid-1, ndërsa për një muaj ishin referuar në spitalin Covid-2.
Ndërkohë, qytetet e tjera do t’i dërgojnë pacientët me Covid-19 në spitalin Covid-2, pasi më herët referoheshin në Infektiv. Ky rrotacion ka ulur disi numrin e të shtruarve në Sanatorium, ku numri i shtretërve të zënë është reduktuar nga 210, që ishte një javë më parë, në 185.