Ai ishte një personalitet në profesionin e tij si pediatër dhe gjenetist, me një kontribut të jashtëzakonshem në fushën e Gjenetikës Mjekësore dhe formimin e brezave të rinj si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë dhe Fakultetin e Mjekësisë “La Sapienza” në Romë.

Pas specializimit në vitin 1983 në Gjenetikë Mjekësore në Universitetin “La Sapienza” Romë (Itali), nxënës i një prej eminencave botërore në fushën e Gjenetikës Mjekësore, Prof. Bruno Dallapiccola, ai u bë një ndër themeluesit e Shërbimit të Gjenetikës Mjekësore në Shqipëri të cilin e drejtoi për shumë vite deri në vitin 2017.

Prof. Mokini ka një kontribut të veçantë në zhvillimin e Gjenetikës Klinike në vendin tonë me krijimin e sektorit të Konsultores Gjenetikë në Shërbimin e Gjenetikës Mjekësore për vendosjen e diagnozës klinike të sëmundjeve gjenetike dhe këshillimin gjenetik të familjeve me risk.

Aktualisht sot në këtë shërbim ka një databazë të plotë në lidhje me sëmundjet gjenetike në Shqipëri duke filluar nga viti 1984. Ai ka shërbyer në vite për këshillimin gjenetik të pacienteve e familjarëve të tyre.

Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm jo vetëm në krijimin e Laboratorit të Citogjenetikës për diagnostikimin e anomalive kromozomike dhe sindromeve të lidhura me to, por dhe për vizionin e tij në kërkim të aplikimit të metodave të reja në këtë laborator si kërkesa të kohës.

Në mungesë të tyre ai ishte gjithnjë në ndihmë të pacientëve dhe familjarëve të tyre për kryerjen e këtyre ekzaminimeve gjenetike dhe konsultave të specializuara në qendra ekselence jashtë vendit.

Me formimin e tij shkencor ai është ndër gjenetistët me kontribut të veçantë në Shqipëri. Karriera e tij pedagogjike dhe akademike në Fakultetin e Mjekësisë është një pasuri në fushën e Gjenetikës Mjekësore.

Leksionet e përgatitura prej tij për studentët dhe specializantet e Fakultetit të Mjekësisë dalloheshin për një profesionalizëm dhe didaktizëm të veçantë, drejtshkrimin perfekt dhe përditësimin e vazhdueshëm me të rejat aq të shumta në fushën e Gjenetikës Mjekësore.

Ai është autor dhe bashkautor i disa librave të Gjenetikës Mjekësore për studentë dhe specializantë, autor dhe bashkautor i dhjetëra artikujve në revista kombëtare e ndërkombëtare, udhëheqës i shkëlqyer i nje sërë doktoraturash dhe diplomash për studentë, recensent me shumë vlerë i disa librave, monografive dhe doktoraturave.

Këtij kontributi i shtohet aktiviteti i tij si drejtues dhe pjesëmarrës në një sërë projektesh me qendra ekselence jashtë vendit për studimin e mutacioneve më të shpeshta në popullatën shqiptare të Fibrozës kistike (1990-92, 1994-97), β-Talasemisë (2009),  Distrofisë muskulare Duchenne (2008-2010), etj. Këto studime ishin jo vetëm një ndihmë dhe mbështetje për diagnozën dhe trajtimin e pacientëve, por krijuan një bazë të rëndësishme për të vazhduar më tej me ngritjen sot të Laboratorit të Biologjisë Molekulare në Shërbimin e Gjenetikës në vendin tonë.

Studimet klinike, biokimike dhe gjenetike dhe depistimet të cilat ai drejtoi apo mori pjesë për sëmundje të tilla si Ataxia Friedreich, Veshka polikistike, Sëmundja Wilson, Neuropatite periferike hereditare në Shqipëri, janë një kontribut i çmuar per popullatën shqiptare.

Prof. Mokin do të jetë i paharruar si një vlerë në mjekësinë shqiptare me një kontribut të veçantë dhe vizion në krijimin e bazave të Gjenetikës Klinike dhe Citogjenetikës në Shqipëri.

Emrin e tij do ta shoqërojë gjithnjë respekti dhe mirënjohja për gjithçka që ai beri në ndihmë të pacientëve dhe familjarëve të tyre me profesionalizmin dhe humanizmin që e karakterizonte, formimin e brezave të rinj, kontributin e tij shkencor në mjekësi dhe veçanërisht në fushën e Gjenetikës Mjekësore, por dhe dashuria dhe vlerësimi i kolegëve dhe miqve për mençurinë, kulturën dhe qytetarinë që ai ofronte./ CNA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re