Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në Komisionin e Ligjeve, ku dhe raportoi punën e vitit 2023 të  institucionit që ai drejton.

Çela u ndal te krimi, ku tha se nuk mund të parandalohet vetëm me ndëshkim penal, teksa shtoi se duhen dhe përgjigje të tjera sociale, ekonomike, kulturore etj.

Ai theksoi se “shoqëria duhet ta drejtojë vështrimin në një sërë hallkash të tjera problematikash, përpara se ta zbrazi të gjithë ngarkesën negative të performanca e drejtësisë”.

“Në thelb mendoj se në jetën shoqërore në vend ka një polarizim të tejskajshëm të debatit publik. Kjo përcjell një mosbesim ndaj institucioneve.

Fakti që ne punojmë dhe prapë ka krime, nuk do të thotë që efekti parandalues nuk po jep rezultat. Do të thotë që nuk mund të jetë vetëm përgjigja penale, përgjigja e vetme e problemeve të thella shoqërore. Përgjigja duhet të jetë sociale, ekonomike, kulturore. Ky përbën një angazhim në disa nivele gjithëpërfshirëse. Nëse në kërkojmë zgjidhjen e dikujt që bën një krim, vetëm te ndëshkimi, sërish do vazhdojmë të diskutojmë të njëjtat probleme pa gjetur zgjidhje. Kush kryen krime? Ata që janë të papunë kryejnë krime, ata që janë të pashkolluar kryejnë krime, ata që kanë probleme familjare kryejnë krime.

 Pra, shoqëria duhet ta drejtojë vështrimin në një sërë hallkash të tjera problematikash, përpara se ta zbrazi të gjithë ngarkesën negative të performanca e drejtësisë.

Prokuroria merret me krimin e raportuar, dhe në fund të fundit, duhet vetë qytetarët dhe institucionet e tjera të kenë një qasje tjetër sa i përket drejtësisë penale. Duke pasur besim do të denoncojnë më tepër, duke mos patur besim nuk do ta bëjë.

Sot prokurorët kanë një pavarësi absolute në çështjet e tyre dhe mendoj se kanë garancinë që ta bëjnë punën të pandikuar nga ndërhyrjet e jashtme”, tha Çela.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re