Lideri i opozitës, Sali Berisha, së bashku me aleatin e tij Ilir Meta zhvilluan takimin e fundit elektoral në bashkinë e Beratit, ku ftuan qytetarët të votojnë Zija Ismailin.

 

Një javë para datës së zgjedhjeve, Berisha u bëri apel qytetarëve të votojnë për veten e tyre dhe t’i japin fund pushtetit absolut, që kryeministri Edi Rama ka në pushtetin qendror dhe në 60 bashkitë e vendit.

 

SALI BERISHA

 

“Ky njeri sot nuk ka kampe përqendrimi, skuadra pushkatimi, por ka në dorë darën e tmerrshme të varfërimit të shqiptarëve, duke i vjedhur ata dhe duke i përzënë çdo natë, ditë, javë e muaj nga vendi i tyre. Ky njeri ka vendosur mbi shqiptarët tiraninë e varfërisë dhe tirania e varfërisë është nga format më të egra të tiranisë.”

 

Sipas Berishës, shkak për varfërimin e shqiptarëve është korrupsioni i qeverisjes socialiste.

 

“Vjedh sepse ministrat e tij marrin prona publike si investitorë strategjikë në kundërshtim me ligjin. Pushteti i tyre përdoret për tendera familjarë dhe kjo sepse Edi Rama prin me këtë frymë”

 

Lideri historik i PD ftoi qytetarët të mbështesin koalicionin “Bashkë Fitojmë”, për një të nesërme më të mirë.

 

 “Unë i garantoj bizneset se programi ynë i taksave të ulëta, mbetet linjë themelore e jona dhe se energjia që është shndërruar sot në një kamxhik për to, do të zbresë nga 220 në 6 lekë kilovatin, ashtu siç e kanë pasur përpara.

 

Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u bëri apel qytetarëve të ndëshkojnë me votë qeverinë e drejtuar nga Edi Rama, e cila sipas tij, ka shkatërruar qytetet tona nga Durrësi në Vlorë.

 

ILIR META

 

KRYETAR I PARTISE SE LIRISE

 

“Ndryshimi nuk është për 4 vitet e ardhshme por për gjithë jetën dhe ne do kalojmë nga korrupsioni i rilindjes në transprancën absolute të bashkisë.”

 

Sipas Metës, të dielën e ardhshme qytetarët kanë në dorë fatin e Shqipërisë për 4 vitet e ardhshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re