Një vatër zjarri e ndezur për shkak të pakujdesisë ka përfunduar me arrestimin e një personi, dëme të mëdha materiale dhe plagosjen e një shtetasi në fshatin Lumth të Lushnjës.

Sipas informacionit zyrtar nga policia, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin I. K., 57 vjeç, banues në këtë fshat. Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme ka ndezur zjarr në tokën e tij për të djegur mbeturinat, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit si pasojë e përhapjes së shpejtë.

Zjarri ka depërtuar në tokën e fqinjit të tij, shtetasit A. A., duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Nga flakët janë shkrumbuar plotësisht një mjet bujqësor (zetor), një rimorkio, si dhe baza ushqimore që pronari kishte grumbulluar për blegtorinë.

Në përpjekje e sipër për të shpëtuar pronën dhe për të shuar flakët, vetë i zoti i tokës, shtetasi A. A., ka pësuar djegie në trup. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Lushnjës, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re