Mjeku i njohur Tritan Kalo ka folur disa orë pasi ka bërë vaksinën anti-COVID, e cila ka filluar ditën e djeshme të aplikohet dhe në vendin tonë. Kalo ishte ndër të parët që është vaksinuar, bashkë me mjekët Najada Çomo, Pëllumb Pipero dhe kryeministrin Edi Rama.

Kalo thotë se efektet thuajse nuk duken, dhe ai në fakt ndihet ”për bukuri”.

“Çuditërisht nuk kam asgjë. Nuk ndjej asnjë pikë ku mund të ketë hyrë vaksina. Pra,ka një difuzion shumë të shpejtë në trup dhe nuk krijon as skuqje, që janë të zakonshme, irritimet, as forcim të vendit. Ndihem për bukuri, nuk kam as temperaturë, as dhimbje muskujsh, as dhimbje koke. Ndihem më mirë se dje.”

Kalo ka shpjeguar më tej se ka bërë vaksina edhe për sëmundje më të rrezikshme se Covid, ndërsa ka kërkuar që qytetarët të mos iu besojnë teorive konspirative.

“Asnjë problem, unë kam bërë vaksina të ndryshme edhe për sëmundje më të rrezikshme se COVID. Kam punuar në vende të ndryshme dhe kam bërë vaksinë edhe për Ebola-n. Në fund të vaksinimit merrnim një stik që tregonte që ishim vaksinuar. Unë e vura në ballë që të tregoja se isha vaksinuar dhe të mos kishin frikë.

Teoritë konspirative nuk kanë asnjë baze reale dhe është një llojë ndalimi që duan t’i bëjnë imunizimit të popullatës. Ne që rrezikojmë jetën pranë të sëmurëve, jemi të aftë të rrezikojmë edhe jetën për të marrë vaksinën. Duhet të vazhdojmë të mos neglizhojmë masat që kemi vendosur. Vaksina është një produkt jo i dëmshëm nëse aplikohet në kushte të përshtatshme”, tha Kalo më tej në një lidhje televizive.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re