Gratë janë ato që kanë kërkuar më shumë gjatë vitit që lamë pas ndihmën juridike dytësore falas.

Të dhënat e Drejtorisë së Ndihmës Juridike për vitin 2021 tregojnë për një rritje të individëve që e kanë pasur të pamundur të përballojnë shërbimin e avokatit dhe për këtë i janë drejtuar instrumentit të ndihmës falas. Kështu sipas objektit të çështjeve gjyqësore që qytetarët kanë kërkuar ndihmë juridike dytësore, evidentohet që kryesisht që janë çështje të karakterit civil.

“Nga totali i kërkesave për ndihmë juridike prej 849, prej tyre 754 janë civile, ku më kryesoret janë zgjidhje martese, përfitim pensioni dhe konflikte pronësie. Ndërsa dy kategoritë e tjera kanë një peshë të barabartë, ku 61 janë penale dhe 57 janë çështje administrative.

Përsa i përket kategorive të personave kërkues të ndihmës juridike dytësore falas, në total evidentohet se 70% e tyre pretendojnë pamundësi financiare, si mungesë të ardhurash dhe pasurie. Ndërsa në pjesën prej 30% përfshihen kategoritë e veçanta ligjore si personat viktima të dhunës, përfitues të skemave sociale, e të tjerë. Ndërsa përsa i përket gjinisë, 65% e kërkuesve rezultojnë gra dhe 35% rezultojnë burra.

Përsa i përket pranimit të kërkesave të qytetarëve nga vendimet e gjykatave, evidentohet një marzh shumë i ulët i refuzimit. Nga totali i kërkesave, në 41 vendime gjykatat janë shprehur për refuzim të kërkesës për ndihmë juridike dytësore falas, thënë ndryshe në 5% të totalit” thuhet në dokument.

I njëjti nënvizon se përsa i përket llojit të ndihmës juridike dytësore falas të kërkuar, nga 849 vendime në total, 315 prej tyre janë për kërkesa për të përfituar avokat, 113 për të përfituar mbulim të shpenzimeve gjyqësore dhe 356 janë kërkesa për të përfituar avokat dhe mbulim të shpenzimeve gjyqësore.

Avokat, që ofron shërbimin falas në sajë të ndihmës juridike, është caktuar për 630 raste. Nga analiza e të dhënave rezulton se, për Dhomën Vendore të Avokatisë Lezhë ka qenë numri më i lartë i vendimeve për caktimin e avokatëve për 68 raste. Ajo ndiqet nga Dhoma Vendore Tiranë për 45 raste, dhe Dhoma Vendore Durrës për 42 raste. Në total rezulton se nga Dhomat Vendore janë dhënë 198 vendime për caktim avokatësh, të cilat i janë komunikuar DNJF përgjatë vitit 2021.

Nëse krahasimin e bëjmë me vitet e mëparshëm 2019 dhe 2020 raporti del në përfundimin se ka një rritje progresive me shumëfishim të kërkesave për ndihmë juridike dytësore. Më konkretisht, për vitin 2019, janë marrë 32 vendime nga gjykatat mbi kërkesa për ndihmë juridike të garantuar.

Ndërsa, për vitin 2020, janë marrë 181 vendime nga gjykatat mbi kërkesa për ndihmë juridike të garantuar. Marrë nga Monitor

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re