Bllokada e Izraelit ndaj Gazës mund të jetë hequr pjesërisht – dhe një plan i ri i mbështetur nga SHBA-të për të ofruar ndihmë ka filluar. Por ka shumë tregues se gjendja e vështirë e banorëve të Gazës po përkeqësohet me shpejtësi.
Kufizimet e vendosura nga ushtria izraelite në rrugët e ndihmës, sulmet ajrore të vazhdueshme, mungesa e sigurisë dhe zhvendosja e vazhdueshme e dhjetëra mijëra njerëzve po e përkeqësojnë një situatë tashmë alarmante, sipas OKB-së dhe agjencive të tjera të ndihmës. Furnizimet që hyjnë rrezikojnë të plaçkiten nga setlerët izraelitë.
“Njerëzit në Gaza janë të uritur. Kjo kërkon hapjen urgjente të të gjitha kalimeve dhe lejimin e aksesit të papenguar për organizatat humanitare për të ofruar ndihmë në shkallë të gjerë, përmes rrugëve të shumta”, tha Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në vlerësimin e saj të fundit.
E gjithë popullsia prej 2.1 milionë banorësh e Gazës po përballet me mungesa të zgjatura ushqimore, me gati gjysmë milioni njerëz në një situatë katastrofike urie, kequshqyerjeje akute, urisë, sëmundjeve dhe vdekjes. Kjo është një nga krizat më të këqija të urisë në botë, që po zhvillohet në kohë reale.
“Nuk kam miell, as vaj, as sheqer, as ushqim. Mbledh bukë të mykur dhe ua jap fëmijëve të mi. Dua të marr një qese miell për fëmijët e mi. Dua të ha. Kam uri”, tha një palestinez reporterit të Al Jazeera-s.
Duke raportuar nga Qyteti i Gazës, Hani Mahmoud i Al Jazeera-s tha se pjesa veriore e Rripit, që përfshin Qytetin e Gazës, “nuk ka parë asnjë pikë ndihme që të jetë lejuar në ditët e fundit”.
“Njerëzit në zonën qendrore, në qytetin [jugor] të Khan Younis dhe Rafah gjithashtu po përpiqen çdo ditë të gjejnë furnizime me ushqim, veçanërisht kur bëhet fjalë për miell dhe gjëra të tjera themelore për t’i ndihmuar ata të mbijetojnë në këto kushte të vështira”, shtoi ai.
Mungesa e ushqimit që hyn në Gaza, e shkaktuar nga kufizimet e vazhdueshme të ushtrisë izraelite, po i lë një numër gjithnjë e në rritje palestinezësh “të prekshëm nga uria”, me marrjen ditore të ushqimit tani shumë më të ulët se ajo që i duhet një trupi njerëzor për të mbijetuar, paralajmëroi pak ditë më parë OKB-ja.
Përgatiti në shqip: Roald A. Hysa