Kryetari i Platformës së ndihmave humanitare në qytetin Şanlıurfa të Turqisë, Osman Gerem, ka theksuar se ndihmat e dërguara nga Turqia janë shpresa e vetme e muslimanëve të Arakanit që kanë migruar në Bangladesh nga presioni i shtetit të Mianmarit.
Gerem ka folur për Anadolu Agency, duke treguar përjetimet e tij kur ai kishte vizituar Bangladeshin për të dërguar për muslimanët e Arakanit ndihmat e mbledhura në kuadër të fushatës së nisur nga organizatat e shoqërisë civile dhe prefektura e qytetit Şanlıurfa.

“Duke vizituar qytetarët e Arakanit kemi bërë kërkime në lidhje me nevojat emergjente të tyre. Shumica e atyre që ndodhen në kampe përbëhet kryesisht nga të moshuarit, gratë dhe fëmijët. Ndërsa të rinjtë nuk janë lejuar. Disa prej fëmijëve ishin me krahë dhe këmbë të thyera. Njerëzit kanë ngritur çadra me shkurre ose prej cope me mundësitë e tyre për strehim. Njerëzit kanë nevojë për një strehë, energji elektrike, ujë dhe produkte ushqimore. Janë të mjaftueshme që këtyre njerëzve t’iu jepet oriz, miell dhe vaj. Ata nuk kërkojnë gjë tjetër”, është shprehur Gerem, duke bërë të ditur se në Bangladesh janë përballur me një situatë në të cilën njerëzit janë të pafuqishëm.
– “Fëmijët kanë harruar të qeshin dhe buzëqeshin”
Pasi ka vënë në dukje se njerëzit strehohen në kushte shumë të vështira dhe se për këtë arsye do të ndërtojnë banesa, Gerem tha se “Me institucionet Deniz Feneri, Memur-Sen dhe MÜSİAD kemi nisur një projekt në Bangladesh për të ndërtuar 2 mijë ndërtesa të përhershme. Shtëpitë prej 22 metra katrorë kanë një kosto prej 800 dollarë. Gjithashtu këtu do të hapim edhe puse për ujë”.

Ndër të tjera Gerem ka theksuar se e gjithë bota duhet të jetë e ndjeshme në këtë çështje, por se asnjë vend tjetër nuk ka ofruar ndihma përveç Turqisë.
Pasi ka theksuar se Turqia me popullin e saj dhe organizatat civile ndodhen në krah të muslimanëve të Arakanit, Gerem është shprehur: “Shpresa e vetme për muslimanët e Arakanit janë ndihmat që dërgohen nga Turqia. Edhe Bangladeshi nuk është në gjendje të mirë ku dhe populli i tij është i varfër. Për këtë arsye është kusht dërgimi i ndihmave për njerëzit e Arakanit. Ndihmat e Turqisë i mbajnë në këmbë njerëzit. Një vajzë në moshën 8-vjeçare tha se ‘janë përpjekur të mbijetojnë për 8 ditë në pyll duke ngrënë gjethe’. Ka shpjeguar se ‘kanë shpëtuar nga kafshët e egra duke bërë si të vdekur dhe në këtë mënyrë kanë mundur të arrijnë në Bangladesh’. Fëmijët kanë harruar të qeshin dhe buzëqeshin. Kur shohim situatën e njerëzve, ne turpërohemi në emër të njerëzimit. Allahu i ndihmoftë. Shpresoj që të gjithë muslimanët të bashkohen dhe t’i ndihmojnë”.ŞANLIURFA (AA) – Müslüm Etgü

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re