Italia, vendi i tretë në botë më i goditur nga koronavirusi, është treguar e gatshme të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor, pas eksperienxcës që ajo vetë arriti të krijonte me sëmundjen. Roma u ka dërguar vende të rajonit udhëzime dhe protokolle për trajtimin e pacientëve të prekur nga COVID-19.
Me kërkesë të Ambasadës italiane në Bosnjë – Hercegovinë, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ofroi një variant të përkthyer të protokolleve në gjuhët lokale dhe u dërgoi atë qeverive të të gjithë Ballkanit Perëndimor, të cilat më pas ua dorëzojnë në institucionet kompetente shëndetësore.
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (CCR), Majlinda Bregu tha: “brenda këshillit ne kishim detyrën modeste t’i përkthenim këto dokumente në të gjitha gjuhët e rajonit dhe t’ua kalonim partnerëve tanë, që do të thotë qeverive, të cilat do të sigurohen që institucionet përkatëse shëndetësore t’i marrin këto protokolle sa më shpejt të jetë e mundur. E kemi kryer këtë detyrë shumë shpejt, të vetëdijshëm që çdo ditë është jashtëzakonisht e rëndësishme në luftën kundër virusit “, tha ajo.
Duke pasur parasysh situatën e deritanishme në luftën kundër COVID-19 në Ballkanin perëndimor, si dhe përvojën e gjerë italiane në trajtimin e pacientëve të infektuar me virus, kjo ndihmë e autoriteteve italiane mund të provohet e vyer. Protokollet përfshijnë informacione bazë për profesionistët e kujdesit shëndetësor të përfshirë në trajtimin e personave të infektuar.
Këto udhëzime operative janë rezultat i bashkëpunimit të specialistëve të sëmundjeve infektive, pulmonologëve, specialistëve të reparteve të urgjencës e profesionistëve të tjerë mjekësorë që kanë kapërcyer me sukses periudhën më të keqe të pandemisë pranë spitalit Papa Giovanni XXIII në Bergamo.