Natyra shëron.

Thjeshtë një ecje në pyll ose një shëtitje buzë detit në një mëngjes me diell mund të zgjojë ndjesi të brendshme lumturie dhe paqeje.

Lidhja jonë me natyrën është gjenetike dhe rrënjët e saj lidhen me evolucionin. Për shembull, a e ke pyetur ndonjëherë veten pse shumica e njerëzve preferojnë të rezervojnë akomodime që kanë pamje nga ballkoni apo tarraca? Pse pacientët që kanë pamje nga dritarja nga krevati ku janë shtrirë e marrin veten më shpejt se të tjerët? Ose pse ndodh që kur stresi na pushton mendjen për një kohë të gjatë, priremi të marrim kohën tone për t’u qetësuar midis natyrës?

Frank Lloyd Wright, arkitekti, dizenjuesi dhe shkrimtari amerikan ka thënë: “Studioje natyrën, duaje natyrën, qëndro afër me natyrën. Nuk do të të zhgenjejë asnjëherë”. Pse jemi kaq të fuqishëm kur jemi afër natyrës?

Autori Richard Louv përmendi “Çrregullimin e mungesës së natyrës” në librin e tij të famshëm “Fëmija i fundit në pyll”.

Sipas Louv, çrregullimi i mungesës së natyrës nuk është prania e një anomalie në tru; është humbja e lidhjes së njerëzve me mjedisin e tyre natyror. Qëndrimi pranë natyrës përmirëson mirëqenien fizike, mendore dhe shpirtërore. Na bën të ndihemi të gjallë nga brenda dhe nuk duhet ta zëvendësojmë atë me zhvillimet e fundit si urbanizimi, teknologjia ose mediat sociale (Louv, 2015).

Përfitimet e qëndrimit pranë natyrës janë të ndryshme. Ne mund të shijojmë efektet pozitive të lidhjes me mjedisin në të gjitha nivelet e mirëqenies individuale.

Natyra ndikon në shëndet:

  • Të bërit banjo në pyll “forest bathing”, ose Shinrin-yoku, siç e quajnë në Japoni, është një mënyrë e famshme për të kaluar kohën në natyrë. Hulumtimet kanë treguar se njerëzit që e praktikojnë kanë funksione optimale të sistemit nervor, gjendje të mire-ekuilibruar të zemrës dhe reduktim të të çrregullimeve të tretjes (Mao et al., 2012).
  • Aktivitetet në natyrë zvogëlojnë shanset e zhvillimit të problemeve të shikimit si hipermetropia dhe miopia. Një sondazh i kryer me fëmijët në Australi zbuloi se fëmijët e moshës shkollore që merrnin pjesë në aktivitete në natyrë kishin shikim më të mirë se fëmijët që kalonin më shumë kohë brenda (Rose et al., 2008a).
  • Studimet e kanë lidhur natyrën me uljen e BMI-së (indeksi i masës trupore). Njerëzit ushtrohen jashtë janë më pak të lodhur dhe kanë më pak shanse të vuajnë nga obeziteti dhe gjendje të tjera të lidhura me të (Wolch et al., 2011).
  • Studimi kërkimor “Forest Bathing” sugjeroi gjithashtu që duke stimuluar prodhimin e proteinave anti-kanceroze, shëtitjet ose udhëtimet e shpeshta në natyrën e egër ndihmojnë pacientët në luftimin e sëmundjeve terminale. Megjithëse ky është një kërkim i vazhdueshëm dhe priten prova më të forta, ky sugjerim është mjaft i fortë për të vërtetuar përfitimet e të qëndruarit jashtë në natyrë (Mao et al., 2012).

Natyra përmirëson mirëqënien tone psikologjike

  • Natyra ndihmon në rregullimin emocional dhe përmirëson funksionet e kujtesës. Një studim lidhur me përfitimet konjitive të natyrës gjetën se personat që bënë një shëtitje në natyrë, kishin rezultate më të mira në testin e kujtesës se sa personat që ecën në rrugët urbane (Berman, Jonides, & Kaplan, 2008).
  • Ecjet në natyrë ndihmojnë personat që vuajnë nga depresioni. Studimet kanë treguar se personat që vuajnë nga depresioni i butë e deri tek ai i rëndë treguan rezultate positive lidhur me ngritjen e humorit kur ekspozoheshin në natyrë. Jo vetëm kaq, por ata gjithashtu ndiheshin më të motivuar dhe me energji kur e merrnin veten dhe riktheheshin në normalitet (Berman et al., 2012).
  • Kërkimet e fundit kanë treguar se të qënit jashtë redukton stresin duke ulur hormonin e stresit, kortizolin (Gidlow et al., 2016; Li, 2010).
  • Ecjet në natyrë dhe aktivitetet e tjera jashtë rrisin nivelin e përqendrimit dhe vëmendjes (Hartig, Mang, & Evans, 1991). Ka copëza evidencash që tregojnë lidhje të forte midis natyrës dhe rritjes së performances, vëmendjes së shtuar dhe uljes së mundësive për të zhvilluar Çrregullim të Vëmendjes (Faber Taylor & Kuo, 2009).
  • Një studim në Universitetin e Kansasit gjeti se të kaluarit më tepër kohë jashtë në natyrë dhe më pak kohë në pajisjet tona elektronike mund të rrisë aftësitë tona problem-zgjidhëse dhe ato creative (Atchley, Strayer, & Atchley, 2012).

Psikologjia e mjedisit lidhet me studimin e mirëqënies njerëzore në ndërveprim me mjedisin ku jeton (Stokols – Altman, 1987). Fokusohet në lidhjen që qëniet e gjalla kanë me natyrën dhe studion dinamikën e bashkë ekzistencës person-mjedis.

Psikologjia e mjedisit nxit ekosistemin e shëndetshëm natyror dhe sugjeron se si keqfunksionimet në habitat kanë dhe do të vazhdojnë të ndikojnë në sjelljen njerëzore, variantet demografike, dhe shoqërinë në tërësi. Psikologjia e mjedisit punon rreth ideve kryesore të mëposhtme (Gifford, 2007):

  • Varësia e njeriut nga natyra vërteton evolucionin. Ne jemi më përshtatës ndaj mjediseve natyrore sesa habitateve të krijuara nga njeriu.
  • Kontakti me dritën natyrale është terapeutik dhe ka efekte të menjëhershme pozitive tek stresi, presioni i gjakut dhe sistemi imunitar.
  • Lidhjet e forta me mjedisin përmirësojnë idenë person-hapësirë dhe rrisin perceptimin mjedisor.
  • Njerëzit janë gjithmonë të aftë të përmirësojnë mjedisin ku jetojnë.
  • Njerëzit janë përshtatës aktivë ndaj ndryshimeve në shoqëri dhe mjedis. Ata riformësojnë identitetet dhe përkatësitë e tyre sociale sipas hapësirës fizike në të cilën jetojnë.

 

Përshtati në shqip: Redina Çanaku / Burimi: The Positive Effects Of Nature On Your Mental Wellbeing (positivepsychology.com)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re