Pasi sirenat kanë rënë në katër komuna në veri të Kosovës, dhe qytetarët janë grumbulluar rreth objekteve komunale dhe kanë penguar policët e Kosovës të hyjnë në to, policia e Kosovës ka njoftuar se po i ndihmon kryetarët e sapozgjedhur që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të punuar në objektet zyrtare komunale.

Në njoftimin e policisë, thuhet se në përputhje me kompetencat ligjore dhe kushtetuese, policia ndërmerr masa të sigurisë, rendit dhe sigurisë publike.

“Policia e Kosovës po ndihmon kryetarët e komunave veriore të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të punuar në objektet e zyrtarëve të këtyre komunave”, thuhet në njoftim.

Pak më vonë, Tanjug, duke iu referuar gazetarit të tij, raportoi se policia e Kosovës ka hyrë në objektin e Komunës së Zveçanit, pasi paraprakisht ka gjuajtur gaz lotsjellës dhe granata trullosëse para objektit ku ishin mbledhur qytetarët, ndërsa janë dëgjuar edhe të shtëna.

Tanjug pretendon se forcat speciale kanë bllokuar qytetin, të gjitha qasjet dhe daljet prej tij, dhe se automjetet e blinduara dhe njësitë speciale të policisë janë para ndërtesës së komunës.

Kryetarët e rinj të komunave të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit bënë betimin solemn të enjten, pasi kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç ishte i pari që e bëri këtë më 19 maj.

Ata u zgjodhën në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.

Pas ndërhyrjes së policisë së Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka lëshuar urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe në nivelin më të lartë.

Vuçiç nënshkroi urdhrin për ngritjen e gatishmërisë luftarake të njësive të Ushtrisë Serbe në nivelin më të lartë dhe urdhëroi që të lëvizin menjëherë drejt kufirit me Kosovën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re