Seanca e radhës për dy prej të pandehurve të “Dosjes 184” të akuzuar për për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, u shty, pas vendimit të zv.kryetarit të Gjykatës së Dibrës Edvan Veçani, për të pranuar më 30 tetor kërkesën e të pandehurve dhe mbrojtjes për përjashtimin e gjyqtarit Ardit Kuka.

“Më datë 28 tetor 2021 është parashtruar kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit të çështjes. Me vendim të datës 30 tetor 2021, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, përbërë nga gjyqtari Edvan Veçani, ka vendosur përjashtimin tim nga kjo çështje”, lexoi Kuka, në fillim të seancës.

Ai tha se kërkesa për përjashtim e tij nga çështja, ndaj ish-drejtorit të Zyrës Arsimore, Drini Gjeci dhe Nuri Medës, ish-Administrator i Njësisë Tomin, ishte pranuar me arsyetimin se ai më herët ka vendosur ndarjen e çështjes dhe ka gjobitur avokatët për mungesat që kishin sjellë vonesë të gjyqit. “Në vlerësimin e trupit gjykues, kjo cilësohet si shkak për paragjykim të çështjes”, tha Kuka.

Ironikisht, ndërsa gjyqtari i deri tanishëm i kësaj pjese të “Dosjes 184”, lexonte vendimin për përjashtimin e tij nga trupa, me pretekstin e njëanshmërisë pasi kishte gjobitur për mungesa avokatët e të pandehurve, të dy mbrojtësit mungonin në sallë. Të pandehurit ishin të pranishëm.

Kuka që tha po gjatë seancës se nuk mund të komentonte vendimin e kolegut. La të kuptohej se ai ishte jo i zakonshëm. “Kjo çështje do të mbahet mend në histori për shumë gjëra, kjo edhe për shkakun e përjashtimit të trupit gjykues. Ky është rasti i parë që unë shoh që një gjyqtar largohet sepse ka zbatuar ligjin”, tha Kuka.

Ai u tha të pandehurve se tani duhej të prisnin shortin, caktimin e një trupe tjetër gjykuese dhe më pas një datë të re për procesin.

Prej fillimit të gjykimit të dy proceseve të lidhura me të ashtuquajturën “Dosja 184” për blerjen e votave në zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër në vitin 2016, seancat janë shtyrë vazhdimisht për shkak të mungesës së avokatëve të pandehurve, Petrit Ismaili dhe Gentjan Rumano dhe në disa raste edhe të vetë të pandehurve në këtë çështje. Motivet për shtyrjen e vazhdueshme janë justifikuar me probleme shëndetësore dhe ngarkesë në punë.

Në muajin shtator gjyqtari Ardit Kuka, vendosi gjobitjen e këtyre dy avokatëve për shkak të mungesës në seancat e gjyqit. Njëlloj më 20 tetor edhe gjyqtarja Nertila Kape, e cila po gjykon procesin ndaj të pandehurve Hasan Hoti dhe ish-shefi i komisariatit të Peshkopisë Robert Aga, vendosi gjithashtu gjobitjen e të njëjtëve avokatë me të njëjtin argumentim.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë të pandehurit në manipulimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Dibër në vitin 2016, u dërgua në gjykatë në fund të vitit që shkoi,  ndërsa më 12 shkurt 2021 Gjykata e Dibrës e kaloi për gjykim. Dosja në qershor të këtij viti u nda më pas në dy pjesë të pandehurit Aga dhe Hoti po gjykohen në një gjyq normal në të cilin pritet të ketë edhe dëshmitarë. Ndërkohë të pandehurit Drini Gjeci, ish-drejtori i Zyrës Arsimore, në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre, po gjykohen në një gjyq të shkurtuar./Reporter.al

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re