Monedha e përbashkët ka vijuar tendencën zbritëse edhe gjatë ditës së sotme në tregun e brendshëm.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, java u hap sot me euron që u këmbye me 125.44 lekë, me një rënie të fortë prej 1.1 lekësh, në raport me fundin e javës së kaluar.
Që kur arriti të hënën e një jave më parë në mbi 131 lekë, niveli më i lartë në dy vjet, kursi është qetësuar ndjeshëm. Në një javë monedha e përbashkët ka rënë me 5.5 lekë, duke iu afruar niveleve të mesit të marsit.

Euro u rrit me shpejtësi pas datës 19 mars, pasi ndalimi i fluturimeve bllokoi dhe furnizimin me valutë për bankat, çka çoi në mbiçmimin artificial të euros dhe valutave të tjera.

Me zgjidhjen e këtij problemi, pasi bankat arritën të siguronin transportin, tregu u qetësua dhe u shmangën dhe elementët spekulativë të vërejtura ditët e para të rritjes së euros.

Sot shënuan rënie pothuajse të gjitha valutat e tjera. Dollari zbriti në 116 lekë, me një rënie ditore prej 0.8 lekësh.

Në rënie është dhe diferenca në shitblerje që ofrojnë agjencitë e këmbimit valutor, në shitje dhe blerje, me dy lekë (rreth 124 lekë në shitje me rreth 126 lekë në blerje), nga rreth 5 lekë që ishte në ditët kur euro u rrit ndjeshëm.

Gjithsesi diferenca mbetet larg ditëve të zakonshme kur ajo luhatet në 0.5 deri në 1 lekë.

Në këtë situatë të paparashikueshme, aktorët e tregut pohojnë se është e pamundur të bëhen parashikime se si do të jetë ecuria e valutave në të ardhmen. / Monitor.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re