Muaji prill është “fatbardhë” për Edi Ramën dhe Ilir Metën. Që në 2013, duket se është një ogur i mirë mes të dyve. Në 1 prill të vitit 2013 mes të dyve nisi dashuria e madhe, e cila prodhoi koalicionin fitues të zgjedhjeve parlamentare.

Edhe atëherë kjo “dashuri” lindi pas një acari politik, por që në fund vendosi ekuilibra, që u prishën vite më pas, në fundin e mandatit të parë qeverisës të kryeministrit Rama.

Por, prilli i 2020, mes një pandemie që ka shokuar botën lind një tjetër marrëdhënie e shumëkomentuar mes Ramës dhe Metës. E pyetur për këtë lloj paqeje pas gjithë asaj lufte politike, Monika Kryemadhi ka një qëndrim krejt të kundërt nga ai në dukje i Ramës dhe vetë presidentit Meta.

“Nuk më intereson fare se çfarë ndodh midis Presidentit dhe Kryeministrit politikisht. Njerëzillkshëm më intereson sepse normal jetojmë në një shtëpi, po nuk shoh që të ketë ndonjë dashuri nga ana njerëzore.

Nga ana institucionale janë punët e tyre le t’i zgjidhin vetë dhe përgjegjësia e secilit prej tyre  qoftë e Presidentit, qoftë e Kryeministrit është individuale.

Ajo që mendoj unë dhe që politikisht e them dhe do ta them është që zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri në datën 23 qershor  është një gomarllik i madh dhe po e them gomarllik, sepse sot kemi një mungesë të transparencës, shumë të madhe. Nuk mund të vazhdojmë të dëgjojmë gënjeshtra që paska shpërndarë Ministria e Mbrojtjes 600 mijë pako. Ku qenkan këto 600 mijë pako se i bie të mbajnë gjithë shqiptarët pako” – përfundoi Kryemadhi deklaratën e saj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re