Një ndërhyrje delikate e shkallës së lartë të vështirësisë për heqjen e një mase tumorale u krye me sukses në atë që ndryshe konsiderohet dhe si spitali i jugut, pra kompleksi Memorial të Fierit, i ndërtuar nga turqit një vitë më parë për afro 4 muaj.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja Manastirliu e cila thekson se kjo ndërhyrje i ka shpëtuar jetën një 62 vjeçare nga Fieri.

“Një ndërhyrje delikate e shkallës së lartë të vështirësisë për heqjen e masës tumorale dhe nefrektomi totale, i ka shpëtuar jetën një 62 vjeçare nga Fieri, falë bashkëpunimit të shkëlqyer të kirurgëve Frenki Vila dhe Ahmet Serdar Teoman në Spitalin Memorial të Fierit”, shprehet ministrja, duke shtuar se “më shumë se 400 ndërhyrje kirurgjikale të kompleksitetit të lartë janë realizuar me sukses në Spitalin Memorial nga ekipi i përbashkët turk dhe shqiptar”.

Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore. Raporton ATSH.

Aty ofrohen shërbimet e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, të ortopedisë dhe traumatologjisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re