Një burrë, i moshës 56 vjeç u arrestua nga policia e Tiranës pasi ndoqi këmba-këmbës për t’i vrarë me sëpatë dy komshinj, sepse lopët e tyre kishin hyrë në livadhin e tij.

Kur nuk i arriti dot fqinjët, A. T sipas burimeve të gazetës Si qëlloi me sëpatë pesë lopë duke i gjymtuar dhe i plagosur ato, çka solli vënien para përgjegjësisë dhe nën akuzë jo vetëm për kanosje, shkatërrim prone dhe armëmbajtje, por edhe për veprën e keqtrajtimit të kafshëve.

Ngjarja ndodhi në Priskë tregoi për gazetën Si zyrtari i policisë që bëri inventarin e lopëve të gjymtuara me sëpatë dhe që sipas asaj që u shkrua në procesverbal, kafshët kishin plagë në kofshë e kurriz të tilla që konsiderohen të pashërueshme.

Si nisi sherri?

I arrestuari A. T. rezulton si shtetas i dënuar në vitin 2011, për akuzën e vrasjes të mbetur në tentativë. Së fundmi, ai doli nga kontrolli për faj të kafshëve. Policia u vu në dijeni të ngjarjes nga A. M që kërkoi ndihmë.

“Më njoftoi punëtori që po ndiqej me sëpatë këmba-këmbës. Më tha po më ndjek A. me sëpatë dhe ndërkohë po gjuan dhe lopët. U nisa ta sqaroja, por sapo më pa dhe unë po e pyesja çfarë dëmi i kisha bërë ai më ndoqi dhe mua”.

Shtetasi A. M tregon se komshiu ndërkohë e kërcënoi se do t’i vriste të gjithë. “Me sa kuptova, lopët e mia ishin futur në tokën e tij dhe kjo gjë e ka revoltuar shumë dhe ndaj ka zbrazur nervat te lopët duke i qëlluar me sëpatë.

Policia thotë për gazetën Si se nga këqyrja rezulton që lopët kanë plagë të thella rreth 15 centimetra dhe janë të gjymtuara.

“Dëmi mund të jetë rreth 4 milionë lekë”, shton më tej kallëzuesi në polici.

Burimet e gazetës Si shtojnë se kanë kërkuar si dëshmitar edhe punëtorin e shtetasit A. M, që punon si bari.

“Dola për të futur lopët në stallë dhe kur u ktheva pashë disa lopë që kishin hyrë në livadh. Hyra për t’i nxjerrë, por u ndoqa me sëpatë nga A.T dhe vrapova sa munda për të shpëtuar. Njoftova pronarin që të vinte në fermë”, dëshmon 47-vjeçari.

Bisedën mes pronarit dhe të arrestuarit e ka riprodhuar edhe bariu, i cili shton “pashë pronarin që i tha, çfarë po bën hajde flasim, por ai u nxeh dhe e ndoqi dhe atë me sëpatë”.

Policia shton se pasi siguroi një avokat kryesisht ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga i arrestuari, i cili ka refuzuar me frazën “nuk kam asnjë shpjegim për të dhënë, nuk njoh asnjërin nga personat që më kanë kallëzuar”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re