Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për prishjen e Teatrit Kombëtar, duke u fokusuar te një reagim i aktorit nga Kosova, Çun Lajçi. Ai në postimin shprehej se ishte pro shembjes së Teatrit, por se nuk ngurronte të thumbonte dhe kryeministrin për qëndrimet e tij.

“Çun Lajçin e njoh si Çuni i Plisit të Bardhë e i një “grushti dhé”, ai që lidhi me një fill emocionesh unike diasporën shqiptare me tokën amë që digjej nga lufta dhe u kthye përmes artit të tij, në ikonën shpirtërore të popullit gjatë asaj kohe të mallkuar…  Po ta njihja personalisht apo po të mos më kishte thumbuar edhe mua në rreshtat bashkëlidhur, nuk do ta postoja këtu çka ai ka postuar me një vrazhdësi kaq të kthjellët, mbi këtë sherrnajën vulgare për një godinë të gabuar që u shemb me një vonesë dhjetëra e dhjetëravjeçare!”, shkruan Rama.

Kryeministri më pas i ka bërë një ftesë aktorit kosovar që të jetë i pranishëm kur të hapet teatri i ri.

“Uroj ta takoj Çunin e Bjeshkëve të Namuna kur të hapim dyert e Teatrit të Ri Kombëtar, i cili nuk do të jetë si ai i Shkupit nga forma neoklasike e zgjedhur për arsye ideologjike, por padiskutim do të jetë një Teatër Kombëtar që do të hyjë në listën e teatrove më të bukur europianë të ndërtuar në kohët moderne”, shprehet Rama.

Reagimi i aktorit

Aktori i njohur nga Kosova Çun Lajci në reagimin e tij u shpreh se “Edi Rama eeshtee i çmendur, por ndoshta çmenduria e tij do ta ndeertojee njee Teateer tee ri”. Lajçi shkruan se ka dheenee shfaqje nee atee Teatere dhe sipas tij, godina e vjeteer nuk ishte dinjitoze, nuk kishte as kushtet minimale peer trupat teatrore te artisteve.

Mesazhi i Cun Lajcit:

(Unee shkrova se n’çfarë gjendje ishte ai teatër, e s’i dola krah pushtetit, as Edit, as nuk thashë “rreenojeni”. Lexojeni siç shkrova, jo siç doni Ju)

Për çka po protestoni? S’deshta, o s’deshta me shkrua, se dashtë e kam ma shumë se ju, që çirreni sheshit, tue derdhë lot pa lot, e tue mallkua pushtetin e Edin! O dashtë e kam ma shum se ju, betohem, dhe e dini pse? Se nji shekull m’ka nda me at teatër, nji bjeshkë kufi deri n’qiell,

– Ju e kishit aty, unë veç n’andërra e kisha!

S’deshta, veç po iu them juve, që brenda hy s’i keni që dy dekada, e kam dashtë sa krejt atdheun, se viti 1972 m’futi n’zemrën e tij, e shfaqja “Viti 61” me mori me vete, e shpirti me mbeti tek Naimi, Pitarka, Edi, Ndreka, Maria, Agimi….

Por juve magjepsë iu kanë yjet që s’jetojnë, e arti i shpirtit tyne, e ditë s’keni për deshtoret e vogëla me tavane t’ulta, këthinat mizerje mbrapa s’kenës, tualetët që kutërbonin, e minjët që brenin kostumet!

Ju kurrë pyet s’keni për pluhnin që aktorët thithnin, e t’ftoftit që t’prente n’ije!

Zatën, këto kushte ia moren jetën Naim Frashêrit, e sa e sa të tjerëve!

Ju pelqye e keni nji sallë, e pyet si keni artistët për kushtet e vitit 1938 n’shekullin 21, ndaj shani e mallkoni e bani politikë me mjerimin e artistit!

Kjo asht turp!  Unë shkrova poezi për koloset e tij, e mija rrole n’at skenë, jo për teatrin, se luejt kam edhe unë aty, dhe e di sa i mjerë ishte, dhe s’mund t’i dënoj artistet e rinjë me nji godinë që s’ishte kurrë teatër!

Tiranës i duhet teatri i ri, ashtu siç asht arti e koha, se e imja, dhe e atyne që ishin, nuk zhduket, pse rrenohet nji godinë. Ato mbesin n’letra, n’zemra, n’kujtime. Ajo mbetet histori që nuk rrenohet me nji godinë!

Ju betohem ma shumë se ju dashtë e kam, se dy vite emnin e Kosovë e mbajti, por pse protestoni tani, kur s’asht ma? Pse, kur 20 vjet iket nga ajo godinë!

Pse e politizoni? Për çka? Për Shqipërinë? Për Kosovën? Jo, s’asht e vërtetë, sepse po t’ishit patriot, do t’protestonit atë ditë, kur Vuçiç e Rama banin minishengene!

Teatri na duhet, e teatri besoj se do t’bahet, mija herë ma i mirë se ç’ishte. Edi asht i çmendun, por çmenduria e tij, ndoshta do t’nae sjell edhe nji teatër si ate të Shkupit! Duhet pritë e duhet pa!

Mos bani politikë me nji ngrehinë që kishte mbetë si fantazmë, e nuk e shikonit fare, se po dukeni vërtetë qesharak!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re