Banorët e fshatit Labinot-Fushë në Elbasan ankohen prej kohësh se uji i pijshëm që shkon në çezmat e tyre është i ndotur. Ata kanë shprehur se ujërat e zeza, sidomos në raste ditësh me reshje shiu, depërtojnë në pompat e ujit që furnizojë të gjithë qytetin e Elbasanit.

Gazetarja Edisona Skënderi thotë se kjo problematikë vijon prej kohësh. Kjo vjen për shkak të mungesës së investimeve në pjesën ku ndodhet tubacioni pranë burimit të Krastës. Gazetarja tha se ata detyrohen të blejnë ujin dhe se Ujësjellësi ka bërë ndërhyrje minimale që s’e kanë zgjidhur problemin.

“Kjo për shkak të mungesës së investimit aty ku ndodhet edhe tubacioni pranë burimit të Krastës që furnizon me ujë të pijshëm banorët e këtij fshati, por për shkak të amortizimit, tubacionet janë të prishura dhe gjatë ditëve kur ka reshje intensive të shiut, ka përzierje të ujërave të zeza me ujin e pijshëm.

Kjo i detyron ata që ta blejnë ujin për konsum duke pasur shpenzime ekstra veç atyre që paguajnë për faturat e ujit të pijshëm pasi faturat shkojnë por nuk e konsumojnë për shkak se uji shkon i ndotur. Kjo problematikë pranohet edhe nga Ujësjellësi i Kanalizimeve në Elbasan, të cilët shprehen se janë në dijeni të problematikës. Në fakt, kanë bërë disa ndërhyrje që kanë qenë minimale por jo të një investimi të mirëfilltë që do t’i jepte njëherë e mirë kësaj problematike“, raportoi gazetarja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re