Pak para nisjes së sezonit turistik Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e kësaj të enjteje ndryshimet në ligjin për vlerësimin e zhurmave në mjedis. Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro bëri me dije se ndarja e kompetencave mes institucioneve përgjegjëse këtë sezon do të jetë më e mirëpërcaktuar.

 

Kumbaro bëri me dija se pushtetit vendor do t’i kërkohet të përcaktojë hartën e zhurmave, zonat e banuara që duhet të keni qetësi si dhe zonat e pabanuara, në të cilat mund të organizohen aktivitetet e zhurmshme.

 

Në të njëjtën kohë, Kumbaro deklaroi se do të ketë fasha orari më të kontrolluara për bizneset në zonat turistike përsa i përket ndotjes akustike. Policia e Shtetit do të ketë kompetencë të zgjeruar dhe do të ndihmohet nga mjetet e certifikuara ndërkombëtarisht për të kontrolluar ndotjen akustike të zonave turistike.

 

“Miratuam amendimet në ligjin për vlerësimin e zhurmave në mjedis. Është një punë 1-vjeçare por edhe si rezultat i vëzhgimit të sezonit të kaluar turistik ku një nga shqetësimet e mëdha që kishin bizneset, pushuesit ishte ndotja akustike për shkak të muzikës së shpërndarë në lokale bare restorante e hotele. I dhamë zgjidhje një probleme të akumuluar prej vitesh. Duke filluar nga ky sezon me miratimin e ligjit në javët në vijim, do kemi kontroll më të rreptë të ligjit dhe fasha orare më të kontrolluara dhe një kompetencë të zgjeruar të policisë sa i përket kontrollit me mjete të certifikuara për të kontrolluar ndotjen akustike, oraret por edhe një detyrë të re për bashkitë, që kanë detyrimin të përcaktojnë hartën e zhurmave, për të përcaktuar qartë zonat e banuara, krejtësisht të qeta, zonat ku janë larg banesave dhe ku mund të zhvillohen aktivitete zbavitëse me muzikë, sikurse do të ketë një ndarje më të qartë të kompetencave mes policisë bashkiake që do vazhdojë të kontrollojë dhe do pajiset me mjete certifikuese kontrolluese të akredituara edhe për lloje të tjera të zhurmave që mund të krijohen nga biznese të ndryshme në territore të ndryshme të bashkive. Një ndarje më të qartë për ti dhënë fund topit që hidhej sa te mjedisi, policia, të gjitha institucionet e kanë shumë të qarta. Fashat orare për sezonin e verës, aktivitete muzikore do jenë nga ora 12 e drekës deri në 12 të natës, në përputhje me hartat policia do të marrë kompetencat për të monitoruar dhe ndëshkuar aktivitetet që nuk i zbatojnë”, theksoi Kumbaro.

 

Ndotja akustike është një problem që ka shoqëruar sezonet turistike në vend, që shpesh herë është kthyer në motiv konflikti mes pronarëve të bizneseve dhe uniformave blu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko