Niveli i lartë i ndotjes së ajrit mund të jetë një nga shkaktarët kryesorë përsa i përket vdekjeve nga Covid-19, referuar studimit të fundit të publikuar në ScienceDirect, që siguron qasje ndaj kërkimeve shkencore dhe mjekësore.

Analizat e fundit të vdekjeve në 66 rajone administrative në Itali, Spanjë, Francë dhe Gjermani, tregojnë se 78% e tyre kanë ndodhur në rajone me ndotje të lartë.

Studimi ekzaminoi nivelet e dioksidit të azotit, një ndotës i prodhuar kryesisht nga automjetet me naftë. Prania e dioksidit të azotit shkakton sëmundje të mushkërive, gjë që mund t’i ketë bërë njerëzit më të predispozuar për të humbur jetën nga Covid-19.

“Rezultatet tregojnë se ekspozimi afatgjatë ndaj këtij ndotësi mund të jetë një nga kontribuesit më të rëndësishëm përsa i përket vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19,” tha Yaron Ogen nga Univesiteti Martin Luther në Halle-Wittenberg në Gjermani, i cili kreu hulumtimin. “Helmi në mjedis nënkupton helm në trupin tonë.”

Ogen vuri në dukje se disa rajone të Italisë dhe Spanjës janë të rrethuara nga male, gjë që ndihmon në bllokimin e ndotjes. Sidoqoftë, hulumtimi është ende në nivelet treguese, pasi duhen marrë parasysh edhe faktorë të tjerë.

Izolimi pas pandemisë ka ndikuar në pastrimin e ajrit, por vdekshmëria lidhet me ekspozimin afatgjatë ndaj ajrit të ndotur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re