Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit do të kërkojë nga autoritetet italiane të gjitha materialet që kanë lidhje me Shqipërinë, e që janë pjesë e përgjimeve për grupin e akuzuar për lidhje me organizatën mafioze ‘Ndrangheta’.

 

Burime pranë SPAK bëjnë me dije se të hënën do të kontaktojnë me autoritetet italiane e pas marrjes së informacionit prokurorët do të vendosin për veprimet e mëtejshme.

 

Por, opozita i ka kërkuar Spak-ut të nisë menjëherë hetimet duke hequr paralele me rastin e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.

 

“Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nuk duhet të heshtë! Më e pakta që mund të bëjë SPAK është të ruajë standardin e ndjekur me Saimir Tahirin! Heshtja e SPAK është kundër interesit të Shqipërisë dhe qytetarëve që presin me padurim veprimin e drejtësisë njësoj për të gjithë”, tha Belind Këlliçi, kryetar i FRPD.

 

I gjithë debati në Tiranë lindi pas operacionit të finalizuar pak ditë më parë në Itali nën emrin e koduar “Basso Profilo”, si rezultat i të cilit u morën të pandehur  50 persona, të gjithë të akuzuar për lidhje me mafian kalabreze, Ndrangheta.

 

Në vendimin e Gjykatës së Catanzaros, përmenden dhe shumë emra politikanësh dhe zyrtarësh të lartë shqiptarë, por mbetet e paqartë nëse ata kanë lidhje direkt apo janë përmendur vetëm për të rritur besueshmërinë e për të treguar rrjetin e njohjeve të tyre.

 

Një prej emrave të përmendur është dhe ai i Presidentit të Republikës, Ilir Meta si dhe këshilltarit të tij, Ilir Kulla. Nga ana tjetër, përgjimet e Prokurorisë, të pranuara edhe nga Gjykata, nënvizojnë interesat shumë milionshe në ndërtimin e kullave në Tiranë si dhe paratë që duheshin paguar si ryshfet, dhe këtu përmendet dhe një personi me emrin ‘Niku’ që shërbente si sekser për lejet dhe tenderat.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re