Një operacion i madh ndërkombëtar është zhvilluar kundër mafias kalabreze. Operacioni i koduar “Eureka” kundër “Ndrangheta ”, mëngjesin e kësaj të mërkure ka kërkuar 150 persona të përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale në trafik droge, trafik armësh dhe pastrim parash, ku deri më tani janë lëshuar urdhrat për 108 arrestime në 8 vende të ndryshme.

Në këtë aksion kanë marrë pjesë më shumë se një mijë policë në Gjermani dhe tre mijë në Itali, sqarojnë zëdhënësit, duke treguar se bastisjet kanë prekur edhe “Spanjën, Portugalinë, Francën, Rumaninë dhe Slloveninë”.

Kjo është një dosje e hapur nga Zyra e Prokurorisë Publike Zyra Federale e Belgjikës, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike të Limburgut, Policinë Gjyqësore Federale, Eurojust, Europol dhe vende të ndryshme, në veçanti Italinë.

Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 13 persona në Belgjikë dhe 7 prej tyre kanë urdhër arresti.

Hetimet që çuan në operacionin “Eureka” kapën ekzistencën dhe funksionimin e tre shoqatave maksikriminale që synonin trafikun ndërkombëtar të drogës, me në krye familjet më të fuqishme Ndrangheta në zonën e Jonit. Hetimi, në fakt, kishte të bënte me bandat Pelle, Strangio, Nirta, Giampaolo, Mammoliti dhe Giorgi, të cilat kanë zyra vendimmarrëse në zonën e Reggio-s dhe degë e baza logjistike në rajone të ndryshme të Italisë dhe jashtë saj.

Prokurorët italianë vlerësojnë se vetëm në vitet e fundit, grupet e lidhura me Ndraghetën kanë sjellë në Itali 6 tonë kokainë nga Amerika e Jugut. Një nga bandat, sipas hetimit italian, furnizohej nga shqiptari Denis Matoshi (Eldi Dizdari) i cili aktualisht është në arrati në Dubai.

Vlerësohet se këto grupe trafiku kanë lëvizur 22.3 milion euro para të ardhura nga droga.

Shoqata e tretë, nga ana tjetër, i përket familjes Strangio “Fracascia” të lidhur me bandat Nirta-Strangio të përfshira në masakrën e Duisburgut të vitit 2007. Kjo organizatë e tretë, sipas hetuesve, kishte degë të qëndrueshme në Genk (Belgjikë), Mynih (Gjermani), Spanjë dhe Canberra (Australi).

Paratë pjesërisht ishin përdorur për blerjen e makinave luksoze dhe finacimin e aktivieteteve tregtare në Francë, Portugali dhe Gjermani, ku gjithashtu ricikloheshin duke shfrytëzuar aktivitetet e pastrimit së makinave.

Paratë e trafikut të drogës, po ashtu  u pastruan në sektorët e restoranteve, turizmit dhe pasurive të paluajtshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re