Ndër detyrat e para dhe kryesore që iu është kërkuar socialistëve është nisja e punës për ndryshimet  kushtetuese për zgjatjen e afatit të organeve të Vettingut. Në mbledhjen e zhvilluar nga Taulant Balla, kryesisë së grupit parlamentar të PS-së, i është kërkuar angazhimi për të bërë të mundur përgatitjen për të ndërhyrë në kushtetutë.

 

Kjo kërkesë e socialistëve vjen pasi në qershor të 2022, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit pra organit që kalon në sitë pastërtinë e figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve i skadon afati po aq dhe Komisionerit Publik.

 

Sipas parashikimeve të sanksionuara në kushtetutë, vettingu për prokurorët duhet të kryhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ai për gjyqtarët nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ndërsa detyrën e komisionerit publik e merr drejtuesi i SPAK.

 

Me kërkesën e sotme e artikuluar më herët në parlament edhe nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili ftoi opozitën të bashkëpunojnë për zgjatjen e afateve të organeve të vettingut, është e qartë se socialistët nuk dëshirojnë që procesi për prokurorët dhe gjyqtarët e mbetur të kryhet nga KLP dhe KLGJ.

 

Në përgjigje të ftesës për bashkëpunim me opozitën, pa të cilën mazhoranca nuk mund të ndërmarrë ndryshimet në kushtetutë pasi i duhen 94 vota, Partia Demokratike ende nuk e ka diskutuar këtë çështje dhe nuk ka një qëndrim zyrtar.

 

Nga nisja e vettingut, procesi deri më tani rezulton i ngadaltë. 395 prokurorë dhe gjyqtarë janë përballur me të, ndërkohë që mbeten edhe mbi 300 të tjerë. Me ritmet e deritanishme të vettingut gjasa është që muajt e mbetur janë të pamjaftueshëm për të qenë KPK që të përmbyllin procesin e vettingut.

 

Për këtë arsye mazhorancës dhe reformës në drejtësi për të cilën ambasada amerikane është investuar i duhen votat e opozitës, për të mos frenuar procesin i cili deri me tani ka lene shumë vakanca ne organet e reja te drejetsise e per pasoje edhe mijera dosje ende te pashqyrtuara .

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re