Qeveria, në mbledhjen e sotme, ka vendosur të ndryshojë 4 ligje në fushën e mjedisit, me qëllim forcimin e masave ndëshkuese ndaj krimeve mjedisore.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, deklaroi para gazetarëve se duhet një forcim i masave ndëshkuese, ndaj do të rishikohet paketa ligjore.
“Qeveria ka marrë vendim për ndryshimin e 4 ligjeve në fushën e mjedisit, ligjin për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e biodiversitetit dhe ligjin e ndikimit për vlerësimin e ndikimit në mjedis. Rezultatet e Këshillit Kombëtar, ku pyetjes a duhet të forcohen masat ndëshkuese për krimin në mjedis, pjesëmarrësit me mbi 70% thanë që duhet një forcim i masave ndëshkuese, ndaj duhet rishikuar e gjithë paketa ligjore”, tha Kumbaro.