Në mbledhjen e sotme Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi ndërprerjen e detyrës si drejtues i prokurorisë së apelit në Durrës të Ludovik Dodajt, i cili ka garuar për të qenë anëtar i KLP-s.

Këshilli vendosi me votë unanime caktimin e përkohshëm të Elvin Gokajt, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, të ushtrojë funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, nga data 03.09.2021 – 02.12.2021.

Njoftimi i KLP-së: 

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 03.09.2021, mbledhjen plenare të radhës. Seanca u ndoq edhe nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Pasi u njoh me relacionin e përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi ndërprerjen e caktimit e përkohshëm të z. Ludovik Dodaj në pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës. Me anë të shkresës drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë me datë 01.09.2021, zoti Dodaj kërkoi ndërprerjen e mandatit si Drejtues i  Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, për shkak të kandidimit për pozicionin e anëtarit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Referuar nenit 105, pika 2/b të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ku përcaktohen kushtet që duhet të plotësojë kandidati për t’u zgjedhur anëtar i  Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në kohën e kandidimit, kandidatët nuk duhet të jenë drejtuesë të një zyre prokurorie ose anëtarë të organeve drejtuese të grupeve të interesit, të tilla si shoqata prokurorësh, sindikata prokurorësh etj.

Gjithashtu, Këshilli vendosi me votë unanime caktimin e përkohshëm të z. Elvin Gokaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, të ushtrojë funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, nga data 03.09.2021 – 02.12.2021.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re